18:17 / E Martë, 14 Janar 2020 / indeksADMonline

Masakra e Reçakut, ambasadorët e Quintit kërkojnë drejtësi për viktimat!

Me rastin e 21 vjetorit nga Masakra e Reçakut, ambasadorët ai i Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.

Në këtë shkrim thuhet se pikërisht kjo masakër bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë, ndërsa shkruhet tutje se të dyja qeveritë ajo e Kosovës dhe Serbisë duhet të punojnë që të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre të kenë akses të plotë në drejtësi , transmeton Indeksonline.

“Njëzet e një vjet më parë, masakra që ndodhi në Reçak përfundimisht bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë dhe të përfundojnë një katastrofë humanitare.

Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën në Recak dhe të gjitha masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më parë duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për brezat e ardhshëm.

Qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre të kenë akses të plotë në drejtësi, dhe informacione në lidhje me fatin e të dashurve të tyre”.

Tutje në deklaratë thuhet se qytetarët e të gjitha etnive duhet të ndjehen në shtëpi dhe të lirë të jetojnë dhe të punojnë në paqe me fqinjët e tyre.

“ Siç thotë Deklarata e Pavarësisë së këtij vendi, Kosova është një vend “i përkushtuar për të përballuar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës së fundit në një frymë pajtimi dhe faljeje. Të përkushtuar për mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e larmisë së popullit tonë. ”Qëllimi ynë i përbashkët është të mbështesim vazhdimisht Kosovën në këtë rrugë”./IndeksOnline