75 Mall Live Search
14:57 / E Hënë, 20 Maj 2019 / indeksADMonline

Masakrohen pyjet në Bjeshkët e Sharrit, institucionet mbyllin sytë përballë krimit!

Jeton SOPA \ Indeksonline

Prerja e pyjeve pa kurrfarë kriteri në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese. Janë me mijëra hektarë pyje që janë shkatërruar deri tani dhe po vazhdojnë të shkatërrohen gjithandej vendit. Megjithëse janë krijuar shumë mekanizma për mbrojtjen dhe mbajtjen nën kontroll të prerjes së pyjeve, në terren situata është alarmante.

Indeksonline ka bërë disa fotografi në Malet e Sharrit më konkretisht në Bjeshkën e Bukoshit të Komunës së Suharekës, të cilat tregojnë gjendjen reale të asaj pjese.

Megjithëse kjo pjesë e vargmaleve të Sharrit është e shpallur park nacional, këtu keqbërësit po vazhdojnë t’i presin pyjet pa u penguar nga askush.

Në këtë rajon me qindra hektar pyje tashmë janë shpyllëzuar tërësisht ndërsa aktualisht me dhjetëra të tjerë po vazhdojnë të priten.

Kjo është masakra pyjore që po u ndodhë maleve të bukura të Sharrit, por institucionet e vendit nuk duken askund për të parandaluar këtë dukuri tepër shqetësuese për ambientin dhe ekosistemin natyror.

Indeksonline nuk u ka dërguar pyetje asnjë institucioni që merret me mbrojtje të pyjeve, as atyre komunale e as atyre qendrore, sepse përgjigjet e tyre i dimë tashmë ata si zakonisht rrinë duke e fajësuar njëri tjetrin dhe qeverisjet e kaluara.

Organet e shtetit duhet t’i shohin këto fotografi dhe t’i bëjnë pyetje vetit se çfarë kanë bërë dhe çfarë po bëjnë për parandalimin e kësaj masakre pyjore, çfarë po bëjnë për mbrojtjen e këtyre pasurive kombëtare që ka Kosova?