MASHT-i fiton ‘betejën’ ndaj SBASHK-ut, Jasharaj paralajmëron veprimet e ardhshme!
Ditë më parë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore padinë ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës tre javore.
Vendimi i ministrit Bytyqi, parashihte që pesë ditë të zëvendësoheshin nga pushimi pranveror, pesë nga të shtunat duke filluar nga muaji prill si dhe përfundimi i vitit shkollor të shtyhet poashtu për pesë ditë.
Gjatë ditës, Gjykata Themelore, ka publikuar vendimin lidhur me kërkesën e SBAShK.
Mirëpo , në këtë vendim, gjykata ka hedhur poshtë vetëm njërën nga kërkesat e sindikalistëve, atë të pezullimit të vendimit nga ministri Bytyqi, deri në marrjen e një vendimi meritor lidhur me padinë.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka konfirmuar këtë për Indeksonline, duke shtuar se gjykata nuk e ka parë të nevojshme pezullimit.
Sipas Jasharajt, gjykata do të vazhdojë me procedurën për marrjen e vendimit lidhur me padinë e ngritur nga SBAShK.
Ai pret që gjykata të merr një vendim në favor të sindikalistëve, kjo pasi, sipas tij, ministri Bytyqi nuk ka pasur bazë ligjore për vendimin që ka marrë.
“Në padinë tonë kemi pasur dy pika, kemi kërkuar nga gjykata që ta pezullojë vendimin. Gjykata nuk e ka pa të udhës që të pezullojë vendimin, mirëpo vazhdon me procedurën e me seancat e caktuara ku do të merr vendim meritor lidhur me vendimin e ministrit Shyqyri Bytyqi. Ne presim, jemi të sigurt që Gjykata Themelore do të sjellë vendim meritor, ministri nuk ka pas bazë ligjore. Ligji për grevat i mbron grevistët dhe nuk thotë në asnjë pikë se orët dhe ditët e humbura duhet të kompensohen”, tha Jasharaj.
Ndryshe, sistemi arsimor në Kosovë ishte në grevë për tri javë rresht. Kjo për shkak se sindikalistët kërkonin rritje pagash. /Indeksonline/