75 Mall Live Search
11:16 / E Enjte, 03 Tetor 2019 / indeksADMonline

MASHT-i reagon për herë të parë pas largimit nga ENQA

Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk është më pjesë e Asociacionit Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Ky vendim ishte marrë më 19 shtator të këtij viti.

E për këtë ka reaguar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), raporton IndeksOnline.

Nëpërmjet një komunikate shtypi, MASHT-i, ka bërë të ditur se nuk ka qenë e  njoftur lidhur me këtë vendim.

“MASHT-i ka pranuar me shqetësim lajmin se Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), ka konstatuar që Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk i përmbushë rregullat evropiane për të qenë pjesë e Asociacionit dhe si e tillë nuk mund të jetë pjesë e ENQA-s.

Megjithatë, MAShT për këtë lajm është njoftuar nga mediat dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar. Prandaj, sot Ministria ka kërkuar informacion zyrtarisht nga Agjencia Kosovare e Akreditimit mbi raportin e ri të krijuar mes Agjencisë dhe ENQA-s, e po ashtu edhe për të gjeturat në raportin e Asociacionit, mbi bazën e të cilit është marrë ky vendim”, thuhet në reagimin e MASHT-it./IndeksOnline/