75 Mall Live Search
14:00 / E Hënë, 04 Nëntor 2019 / indeksADMonline

MASHT-i thotë se s’do t’i mbështesë financiarisht studentët e Fakultetit të Edukimit dhe të Arteve

Këshilli Studentor i Fakultetit të Arteve, që udhëhiqet nga organizata studentore “Reforma”, e kundërshton vendimin diskriminues të MASHT-it për konkursin e bursave, për studentët e Universitetit të Prishtinës.

Ata si sot protestuan para Ministrisë së Arsimit, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për mos përfshirjen e Fakultetit të Arteve në këtë konkurs për bursa.

Ata thonë se janë kundër që të diskriminohen studentët e dalluar të cilët kanë arritur rezultate të larta në studimet e tyre.

Por, përmes një njoftimi për media MASHT-i ka bërë të ditur se Fakulteti i Edukimi dhe ai i Arteve nuk do të mbështeten financiarisht nga ta.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka planifikuar që edhe këtë vit bursat që do t’u jepen studentëve të kenë shumën e bursave që janë ndarë edhe vitin e kaluar (880 euro).

Mbështjetja e studentëve me bursa ka për qëllim përkrahjen e kuadrove deficitare, prandaj janë zgjedhur për mbështetje financiare vetëm fakultetet të cilat përgatisin kuadro deficitare.

Fakulteti i Edukimit dhe ai i Arteve nuk konsiderohen më si deficitare, prandaj studentët e këtyre fakulteteve nuk do të mbështeten financiarisht nga MASHT-i”, thuhet në njoftim, përcjell Indeksonline.

Në njoftim më tej thuhet se këtë vit, MASHT-i ka ulur kriterin e notës mesatare për studentët e Fakultetit Teknik, sepse perveç që ky fakultet përgatit kuadro që në tregun e punës ka mungese të theksuar, disa drejtime rrezikojnë të mbyllen për mungesë interesimi për të studiuar në keto drejtime.