MAShTI tregon se si po ecin ligjëratat online, shpejtë mund të transmetohen edhe në Televizionin Publik

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka filluar organizimin e mësimit në distancë, mësimit përmes platformave online. Deri më tani ky proces po përkrahet nga shumë operator, e medie, të cilët kanë vënë në dispozicion tërë ekspertizën e tyre, që procesi të shkoj mbarë, bën të ditur MAShT, transmeton IndeksOnline.
Kjo platformë do të jetë në dispozicionin e të gjithë nxënëseve të interesuar për të ndjekur ligjëratat, pa marrë parasysh se a janë apo jo pjesë e institucionit publik.
“Platforma e mësimit në distancë (online), do të jetë në dispozicion për të gjithë nxënësit e institucioneve publike dhe atyre private, pa dallim. MAShTI ështënë kontakt të vazhdueshëm me transmetuesin publik, Radio Televizionin e Kosovës, të cilët kanë shprehur gatishmëri për të transmetuar mësimin online në kanalet e tyre”, thuhet në njoftimin e MAShT-it.
Poashtu, MAShTI është duke komunikuar me ofruesit e shërbimeve të internetit në mënyrë që edhe familjeve me fëmijë që nuk kanë qasje në internet t’iu ofrohet shërbimi online pa pagesë, në mënyrë që t’iu mundësohet pjesëmarrja në mësimin nga distanca.
“Lidhur me shkollat private, të cilat veçse janë duke ofruar shërbimin e mësimit online për nxënësit e tyre, MAShTI sqaron se këto shkolla kanë të drejtë të ofrojnë shërbime edukative të digjitalizuara në mënyrë vetanake, gjithnjë duke pasë parasysh se mësimi zhvillohet në përputhje me planprogramin mësimor të aprovuar nga MAShTI”, përfundon njoftimi.