75 Mall Live Search
10:33 / E Shtunë, 06 Shtator 2025 / F.R

“Mashtrim dhe hajni në dëm të konsumatorëve”, Shala akuzon qeverinë për krizën e energjisë

Çmimet e energjisë elektrike në Kosovë po shkojnë drejt rritjeve drastike, duke rënduar jetën e konsumatorëve dhe biznesve.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, në një postim në Facebook, ka akuzuar qeverinë dhe Zyrën Regulatore të Rregullimit të Energjisë (ZRRE) për vendimmarrje të gabuar dhe mungesë transparence në menaxhimin e tregut të energjisë.

Sipas Shalës, konsumatorët janë të detyruar me dhunë të kalojnë në tregun e lirë, ku gjatë muajve të verës po paguajnë çmim dyfish, ndërsa në dimër pritet një rritje dramatike deri në katërfishim të tarifave të energjisë elektrike.

“Qeveria dhe ZRRE e quajnë këtë ‘reflektim të kostove’, por në të vërtetë kjo është pasojë e një vendimmarrjeje të gabuar dhe mungesës së përgatitjes së tregut,” ka shkruar deputeti i PDK-së.

Ai paralajmëron se, pas goditjes së bizneseve me çmime marramendëse, në radhë janë ekonomitë familjare, të cilat pritet të përballen sërish me shtrenjtim të tarifave, ndonëse kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. ZRRE-ja dje dha sinjale për një rritje të mundshme të çmimit në dhjetor të këtij viti.

Në postimin e tij, Shala thekson edhe rezistencën e Vetëvendosjes ndaj konstituimit të Kuvendit si një tregues që sfidat për konsumatorët do të vazhdojnë për të dytën herë brenda vitit.

Bazuar në të dhënat pesëvjeçare të sektorit energjetik, ai paralajmëron se dëmi financiar është jashtëzakonisht i madh dhe me pasoja afatgjata për ekonominë e Kosovës.

“Dhe nëse deri më tani keni pasur dilema rreth mafies energjetike, sot ajo ka adresë të qartë: Qeverinë e Kosovës,” përfundon Shala./IndeksOnline/