75 Mall Live Search
09:36 / E Hënë, 28 Prill 2025 / Z S

Mashtroi dhe ua mori paratë qindra qytetarëve shqiptarë, arrestohet një francez, në Tiranë

Një 23-vjeçar nga Franca, Adem Said, është arrestuar nga policia për shkak se u dërgonte qytetarëve të ndryshëm në Shqipëri, link të rremë, për të plotësuar të dhënat bankare, duke u kamufluar si filiali i një banke të nivelit të dytë, me qëllim që t’ua merrte para nga llogaria.

Ai është arrestuar në flagrancë në një bankomat në Tiranë, duke tërhequr para nga një llogari që e kishte marrë nëpërmjet linkut.

Ka rezultuar se linku dhe me anë të sistemeve kompjuterike ishte hapur në Francë, ndërsa kanë qenë qindra qytetarë që kanë rënë pre e këtij mashtrimi, raporton Abcnewsalbania.

Por si funksiononte mashtrimi?

Nëse klikoje te mesazhi që të vinte në celular sikur është banka juaj, kërkonte plotësimin e formularëve me të dhëna bankare personale, të cilat më pas i përdorte për të tërhequr para nëpërmjet bankomateve (ATM) dhe aplikacioneve bankare të instaluara në celulare.

Në këtë skemë mashtrimi kanë rënë viktimë qindra shtetas shqiptarë. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe procedimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.