Mashtronin qytetarët në emër të Postës Shqiptare, arrestohen dy kinezë
Dy shtetas të huaj, janë arrestuar nga policia e shtetit shqiptar, pas njoftimeve të qytetarëve për mesazhe mashtruese që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare me qëllim përfitimi i të dhënave personale dhe bankare të përdoruesve.
Në pranga ranë C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç, të dy shtetas kinezë.
Sipas njoftimit të policisë, këta shtetas kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mashtruar qytetarët dhe për të mbledhur të dhëna personale e bankare, shkruan rtsh.
Gjatë kontrollit të ambienteve ku qëndronin, u sekuestruan: 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme. Hetimet treguan se ata kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare për të mashtruar qytetarët.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale: “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, ndërsa vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e mundshëm të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Policia e Shtetit apelon qytetarët të tregojnë kujdes maksimal ndaj çdo mesazhi apo faqeje që kërkon të dhëna personale apo bankare dhe u bën thirrje atyre që i janë përgjigjur mesazheve mashtruese të paraqiten menjëherë për ndihmë.

