21:08 / E Martë, 30 Prill 2019 / indeksADMonline

Mashtruan qytetarët duke u shitur bileta false, kërkohet paraburgim për dy të dyshuarit

Indeksonline në tetor të vitit të kaluar raportoi për mashtrimet e agjencionit “Sky Travel’ në Pejë.

Ky agjencion mashtroi disa klientë  duke u shitur bileta fikive për udhëtime turistike në Turqi, por që këto fluturime nuk u realizuan fare.

Ndër to, ishte një qift nga Mitrovica, që muajin e mjaltit e kishin rezervuar në Turqi përmes këtij agjencioni, e qe nuk u realizua ani pse pagesa ishte bërë.

Sot, Prokuroria ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit R.I dhe A.D të këtij agjencioni, të cilët mashtruan qytetarët përmes shitjes së biletave të falsifikuara, brenda territorit të Kosovës, ashtu edhe jashtë saj.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se, duke filluar nga data 23.07.2018, e deri në momentin e arrestimit, më  26.04.2019, të dyshuarit e lartcekur, pas marrëveshjes paraprake në mes tyre për kryerjen e mashtrimit, i dyshuari R.I., si pronar i agjensioneve “Sky Travel”, “Euro Travel”, “Euro Reisen”, me seli në Pejë dhe e dyshuara A.D., si punonjëse në këtë agjension, i kanë mashtruar qytetarët përmes paraqitjes së fakteve të rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material për vete, në data të ndryshme dhe në qytete të ndryshme, duke filluar nga Prishtina, Peja, Gjilani dhe Gjakova, u kanë shitur aviobileta fiktive për fluturime jashtë Kosovës, ndërsa këto fluturime nuk janë realizuar fare.

Për këto bileta të dëmtuarit kanë paguar shuma të ndryshme të të hollave, ndërsa paratë e marrura nuk janë kthyer te ata asnjëherë, kështu duke u shkaktuar dëme materiale në vlera të ndryshme.

Me këtë të dyshuarit R.I., dhe A.D., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 335 par.2 lidhur me par.1 dhe lidhur me nenin 31  të KPRK-së.

 Po ashtu, ekziston dyshimi i bazuar se, nga data 18.08.2018 dhe në vazhdimësi deri më datën e arrestimit të dyshuarit e lartcekur, me vetëdije të plotë kanë përpiluar aviobileta të falsifikuara në emër të Agjensionit turistik “Reisburo Prishtina”, me seli në Prishtinë dhe u kanë shitur këto bileta të dëmtuarve në vlerë prej 600.00 euro, në relacionin Prishtinë-Shtutgard, për datën 19.08.2018, ndërsa kur të dëmtuarit kanë tentuar të realizojnë fluturimin është vërtetuar se këto bileta i kanë blerë nga kompania “Sky Travel”, ashtu që të dyshuarit kanë vepruar njëjtë edhe më 14.12.2018. /Indeksonline/