Materiali i Hemodializës, SHSKUK në pritje të një procedure tjetër emergjente për furnizim
Në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, pacientët e hemodializës kanë përfunduar terapinë me vonesë për shkak se materialet nuk mbërritën me kohë. Pacientët, shprehin shqetësimet nga mungesa eventuale, derisa SHSKUK, ende në pritje të finalizimit të një procedure emergjente më furnizim. Zvarritjet në furnizim, njohës të fushës së shëndetësisë, i lidhin me interesa të operatorëve ekonomikë që janë të lidhur me institucione më të larta të shëndetësisë në vend.
Ndërrimi i parë i pacientëve të repartit të hemodializës në Spitalin Rajonal të Mitrovicës kanë përfunduar terapinë rreth gjysëm ore me vonesë.
Kjo pasi sipas stafit e pacientëve, materiali për trajtim mbërriti me vonesë mëngjesin e së mërkures.
Avni Maloku ka tre vite në dializë e thotë se paralajmërimet për mungesa eventuale i kanë ngjallur jo pak shqetësim.
“Kanë thanë që munet me pas vonesa, mos me pas ma mirë. Kuptohet që mos me pas vonesa ma mirë”, ka theksuar ai.
Raportimet se pacietët gjatë së martës terapitë i kanë pranuar gjysmake, janë mohuar nga drejtori i Spitalit, Gëzim Berisha, sikur edhe vonesat në mbërritjen e materialit, derisa nuk ka dhënë asnjë detaje shtesë për “ri-organizimin” që i është kërkuar nga SHSKUK-ja.
Por, ndryshe thonë nga stafi i këtij reparti duke theksuar se furnizimi mjafton vetëm për ditën e sotme.
Në një komunikatë të lëshuar një ditë më parë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës u kërkonte spitaleve rajonale “ri-organizim të punës”.
Se ç’ka nënkuptonte me këtë, SHSKUK nuk ka dhënë shpjegim por ka thënë se është në përpjekje të të siguruar një kontratë të re emergjente.
“Është e vërtetë që materiali i përgjithshëm nuk është në sasinë e dëshiruar, por jemi duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që furnizimi të stabilizohet plotësisht”.
Një procedurë e rregullt tenderuese për furnizim është ende në shqyrtim në OSHP, prej rreth dy muajsh. Në ndërkohë, është zhvilluar edhe një procedurë emergjente, e cila ka rezultuar me nënshkrimin e një kontrate. Operatori ekonomik ka pasur afatin njëditor për dorëzimin e materialit, por nuk e ka përmbushur këtë obligim me kohë, ndaj Zyra e Prokurimit i ka ndërprerë kontratën.
“Aktualisht jemi në proces të hapjes së një procedure tjetër emergjente për furnizim, në mënyrë që të sigurojmë vazhdimësinë e plotë të trajtimit të pacientëve pa asnjë ndërprerje”.
Bordi i SHSKUK-së është mbledhur gjatë ditës së sotme e në të ku u disktu edhe çështja e hemodializës, me drejtorin e përgjithshëm që pranoi se furnizimi aktual nuk është në sasinë optimale.
E sipas njohësve të këtij sektori, kjo çështje nuk po merr trajtimin me seriozitet që i takon.
“… Krejt kjo, besoj unë, po ndodhë për interesa të operatorëve ekonomik e që janë të lidhura me institucionin e SHSKUK-së. Bordi do duhej të ishte më vigjilent, më kokëfortë për të kërkuar përgjegjësi mirëpo edhe MSH edhe Qeveria e Kosovës duhet të reagojnë për këtë rast”, ka deklaruar Bujar Vitija – Gazetar i Shëndetësisë.
Për dallim nga tash e disa muaj sa flitet kjo problematikë, Ministria e Shëndetësisë e ka thyer heshtjen duke deklaruar se mbetet në kontakt me SHSKUK-në e duke mos marrë përgjegjësi si monitorues i saj.
“Ministria e Shëndetësisë është e informuar lidhur me çështjen e lartpërmendur dhe vazhdon të jetë në komunikim të rregullt me ShSKUK-në. Sipas informatave të pranuara nga ShSKUK, shërbimi i hemodializës po ofrohet në mënyrë të rregullt për pacientët që kanë nevojë për këtë trajtim”.
Sa i përket çështjeve të tjera, ju lutemi që për përgjigje t’i drejtoheni ShSKUK-së, e cila funksionon si organizatë buxhetore më vete.
Sipas standarteve mjekësore, pacientët që kanë nevojë për hemodializë të rregullt nuk mund të qëndrojnë më gjatë se 2-3 ditë pa të.
Ndërsa për ata që kanë funksion të mbetur të veshkëve, në disa raste mund të përballojnë mungesën e terapisë deri në 5 ditë./Dukagjini/

