Matësit e energjisë digjen në një objekt në Prishtinë
Një ngjarje e papritur ka ndodhur mbrëmë, në lagjen Dardania në Prishtinë.
Në një kompleks banesor, papritmas dhe nga shkaqe të panjohura, matësit e energjisë elektrike kanë marrë flakë, raporton IndeksOnline.
Një nga banorët e atij blloku ka deklaruar për IndeksOnline se së pari ishte ndalur një linjë e energjisë, si pasojë e së cilës kanë mbetur pa furnizim plot pajisje, përfshirë dhe ashensorin e objektit.

Më pas, orët matëse që gjenden në katin e parë të bllokut, u përfshinë nga zjarri.
“Ka pasur shumë tym, tym që të ngufatë. Ne, banorët, u detyruam të mbyllim dyert dhe të shpresojmë që zjarri të mos rritet. Hyrja e objektit ka qenë e bllokuar. I kemi lajmëru menjëherë zjarrfikësit dhe KEDS-in” deklaroi për IndeksOnline një banore në atë ndërtesë.
I gjithë objekti vazhdon të qëndrojë pa energji, teksa ekipet e KEDS-it aktualisht janë duke punuar në rrjetin furnizues në këtë ndërtesë.

Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar edhe zëvendëskomandanti i zjarrfikësve, Samed Shkodra.
Shkodra bëri me dije se ekipet e zjarrfikësve iu përgjigjen telefonatës në rrugën “Ilaz Kodra”, por intervenimi nuk ishte i nevojshëm sepse fatmirësisht zjarri ishte ndalur me t’u ndërprerë energjia nga njësiti i KEDS-it.
IndeksOnline ka kontaktuar KEDS-in dhe është në pritje të një përgjigjeje nga ta.


