75 Mall Live Search
07:39 / E Premte, 23 Gusht 2019 / indeksADMonline

Mattarella: Italia po shkon drejt zgjidhjes së krizës

Presidenti i Italisë Sergio Mattarella pas bisedimeve me forcat politike për dy ditë radhazi, doli para medias për të deklaruar se po shkohet drejt një zgjidhje të krizës.

Mattarella deklaroi se gjatë bisedimeve me forcat politike i është propozuar nga disa prej tyre krijimi i një qeverie të re.

“Unë do të kryej konsultime të reja që do të fillojnë të martën e ardhshme për të nxjerrë përfundime dhe për të marrë vendimet e nevojshme. Vetëm qeveritë që fitojnë besimin e Parlamentit me marrëveshje koalicioni mbi një program për qeverisjen e vendit janë të mundshme. Në mungesë të këtyre kushteve rruga është ajo e zgjedhjeve”, – deklaroi Mattarella.

Sipas tij disa parti i kanë bërë të ditur iniciativa që kanë për krijimin e një mazhorance të re.

Presidenti italian ka zhvilluar gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte konsultime me partitë politike, ku janë diskutuar mundësitë e gjetjes së një zgjidhje sa më optimale.

Negociatat midis Lëvizjes 5 Yjet dhe Partisë Demokratike për të aprovuar formimin e një qeverie të re, janë të shpresëdhënëse.

Asambleja e grupeve të Lëvizjes 5 Yjet i dha një mandat për negociata, drejtuesit politik Luigi Di Maio dhe drejtuesve të grupit Stefano Patuanelli, si dhe Francesco D’Uva, për të takuar delegacionin e Partisë Demokratike, përcjell Rtsh.

Nga ana tjetër Zingareti i PD-së, ka deklaruar se sipas bisedimeve me ‘Lëvizjen 5 Yjet’ dhe programit të tyre, shohim se mund të fillojmë tashmë të punojmë me ta.