11:17 / E Hënë, 18 Maj 2020 / indeksADMonline

Maturantët në Shqipëri rikthehen në shkolla

Të gjithë maturantët në Shqipëri i janë drejtuar sot gjimnazeve për të nisur procesin e konsultimeve për provimet e maturës nën masa të rrepta sigurie në kuadër të situatës së krijuar prej COVID-19.

Prej më shumë se 2 muaj mungese në bankat e shkollës, maturantët në bazë të masave që janë marrë nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë për higjienizimin dhe krijimin e kushteve higjieno-sanitare, do të qëndrojnë për të realizuar 4 orë mësimore, dy mes së cilave do të ketë vetëm një pushim 5 minutësh.

Klasat janë organizuar në mënyrë të tillë që të respektohet distancimi fizik nga 1.5 metra deri në 2 metra, ku një klasë do të mbajë nga 10 deri në 12 nxënës.

Gjithashtu, në hyrjen në shkollës është bërë piketimi duke ruajtur po të njëjtën distancë në momentin e hyrjes në shkollë. Në monitorimin e situatës që nga hyrja e nxënësve e deri në përfundimin e mësimit, është stafi i mësuesve, stafi mjekësore si dhe oficerët e sigurisë. Në momentin e hyrjes në shkolla, nxënësit janë të detyruar të pajisen me maska e doreza të siguruara nga Ministria e Arsimit.

Në çdo bankë, maturantët kanë nga një dezinfektant për duart. Po ashtu, në të gjitha mjediset e brendshme të shkollës. Sakaq, në të gjitha mjediset e shkollës, në korridore, pranë tualeteve, në kënde të klasave janë të vendosura postera të sjelljes dhe zbatimit të rregullave higjieno-sanitare dhe lëvizshmërisë së nxënësve.

Ndërkaq, stafi përgjegjës do të monitorojë lëvizjet e nxënësve, ku qëndrimi i këtyre të fundit në korridore është totalisht i palejueshëm.

Po të njëjta rregulla do të zbatohen edhe në dalje të nxënësve. Pra, që nga ruajtja e distancimit fizik deri në përfundim të mësimit dhe procesi i dezinfektimit të klasave që do të kryhet çdo ditë pas përfundimit të mësimit. Procesi i konsultimeve do të zgjasë 3 javë.