Maxharraj: Kërkoj të jem pjesë e Kuvendit të Prishtinës, për të qenë adresë përtej politike e të gjithë qytetarëve

Kandidati për asamble komunale të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Taulant Maxharraj, është i bindur se Prishtina ka potencial të mjaftueshëm dhe se asaj i nevojitet sot më shumë se kurrë, çlirimi i këtyre potencialeve si dhe vënia e tyre në jetë.
Ai vlerëson se të rinjtë e Prishtinës kanë ide, përkushtim, ambicie dhe iniciativë, të cilëve iu duhet përkrahje dhe trajtim i barabartë e dinjitoz në secilën mundësi që krijojnë institucionet e Komunës. Në një interviste për mediumin tonë, Maxharraj ka shpjeguar se angazhimi i tij politik, lidhet me përfaqësimin e të gjithë qytetarëve në Kuvendin Komunal, dhe se ai në këtë garë politike, kërkon mbështetjen e qytetarëve të Prishtinës për të qenë adresë përtej politike e çështjeve, halleve dhe ambicieve të tyre të përditshme.
1. Cili ka qenë motivi juaj kryesor për t’u bërë pjesë e garës për asamblenë komunale të kryeqytetit?
Përfundimisht të rinjtë. Jetojmë në një ambient ku kushtet e përgjithshme sociale dhe ekonomike, e kërkojnë një reflektim publik ndaj rrethanave në të cilat jemi, ndaj rrethanave me të cilat përballën të rinjtë e kryeqytetit, si dhe po ashtu edhe ndaj zgjidhjeve që kemi në dispozicion për t’i ndryshuar gjërat në të mirë të tyre dhe shoqërisë në përgjithësi. Ndër sferat kryesore publike ku mund të ngritën këto çështje dhe të shqyrtohen këto alternativa është politika. Prandaj edhe kam vendosur të bëhem pjesë e garës për asamblenë komunale të Prishtinës, sepse besoj se përmes kësaj veprimtarie, përmes veprimit politik dhe debatit, ne mund të nxjerrim në pah nevojat e qytetarëve dhe veçmas të rinjve të kryeqytetit, si dhe t’i orientojmë problemet drejt zgjidhjes. Deri më sot, kam pasur kryesisht angazhim profesional, por edhe komunitar. E kam vlerësuar besimin që më është dhënë që pikëpamjet tona të përbashkëta për një Prishtinë funksionale, gjithëpërfshirëse e me mundësi, t’i zhvilloj aty ku merren vendime e përcaktohen veprime konkrete. Prandaj, me vetëdije të plotë kam vendosur që të garoj për të qenë përfaqësues i debatit të domosdoshëm që duhet të zë vend në kuvendin komunal të kryeqytetit.
2.Çfarë iu ofroni të rinjve dhe si e shihni kontributin tuaj si kandidat në çështjet që i preokupojnë të rinjtë dhe qytetarët e Prishtinës?
Në parim, nuk i takoj dhe as nuk përfaqësoj një mendësi politike që pretendon se të gjitha zgjidhjet dhe nevojat e të rinjve të Prishtinës, siç edhe të gjithë qytetarëve të saj, e kanë adresën në Komunë dhe në institucionet komunale. Por megjithatë, mendoj se komuna dhe institucionet lokale janë adresa kryesore që duhet të garantojnë të rinjtë e kryeqytetit, si dhe të gjithë qytetarët pa dallim, se shanset e tyre të barabarta për t’i ndjekur planet jetësore private, ekonomike, edukative, sportive, etj, duhet të kultivohen dhe ofrohen me çdo kusht. Prandaj, unë kam marrë përsipër që të garoj dhe të jem zë i tyre në Kuvendin e Prishtinës, në kuptim të mbrojtjes së barazisë së shanseve dhe zgjerimit të debatit aq të nevojshëm për përfshirjen sa më të madhe të qytetarëve në perspektivën që krijojnë institucionet lokale. Unë jam në garë për një debat argumentues dhe përtej politik, që vlerëson drejtë potencialin e të të rinjve, si në ndarjen e hapësirës për arsim, për ndërmarrësi, për qasje në financa, për grante dhe për financimin e projekteve të tyre. E kjo ndërlidhet me transparencë, gjë që imponon cilësi dhe kompetencë në përfaqësim. Prandaj, duke besuar se këto përveçse janë tipare mbi të cilat kam ndërtuar karrierën dhe personalitetin tim, janë edhe tipare që i duhen një qeverisje të mirëfilltë lokale, e cila kryen punë dhe të cilës i thuhet “puna marë”.
3.Cili është mesazhi juaj elektoral?
Nuk kam mesazh politik. Kam mesazh qytetar. I takoj me krenari dhe jam shumë falënderues Aleancës dhe kandidatit Haradinaj për mundësinë. Besoj se me të, Prishtina do të ketë një kryetar transformues. Por krahas rreshtimit për një qeverisje që vetëm z. Haradinaj mund ta sjellë në kryeqytet, unë qëndroj në këtë garë për përfaqësimin e të gjithë qytetarëve pa dallim. Prandaj mesazhi im i vetëm është ai që na bashkon të gjithëve rreth asaj çfarë e kemi të përbashkët, Prishtinën. Për një Prishtinë që nuk pasivizohet por zhvillohet, për një komunë që është adresë e temave konkrete dhe jo vetëm administratë burokratike, unë kërkoj besimin e qytetarëve të Prishtinës pa dallim.