Mazraoui drejt largimit nga Bayerni, fillon interesimi i klubeve të njohura angleze

Moussair Mazraoui ka shprehur zhgënjimin e tij për mungesën e kohës së lojës te Bayern Munichi që nga rikthimi i tij nga lëndimi.
“Jam i zhgënjyer, luftova në njëmbëdhjetëshen e parë, u ktheva pas inflamacionit të muskujve të zemrës. Tani më duket sikur jam harruar, edhe nëse kjo është një fjalë e madhe. Futbolli është futboll, ju jeni po aq i mirë sa loja juaj e fundit. Por, kjo ishte shumë kohë më parë për mua në fund të fundit. Është e vështirë”, tha ai në një intervistë për “Bild”.
Tutje, Mazraoui e pranoi se mund të largohet në rast se nuk ndryshon kjo situatë.
“Nëse situata mbetet kështu, kjo nuk është ajo që dua. Dhe jo ajo që meritoj”, shtoi 25-vjeçari.
Që kur Thomas Tuchel ka marrë drejtimin e klubit, Mazraoui ka luajtur vetëm një minutë. Më herët, ai u paraqit në 20 ndeshje për Bayernin duke asistuar tre herë.
Marokeni tani e gjen veten pas Joao Cancelo, Benjamin Pavard dhe Josip Stanisic.
Mazraoui kaloi nga Ajaxi te Bayerni si futbollist i lirë verën e kaluar, teksa ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2026.
Manchester United, Arsenal dhe Newcastle United besohet se janë klubet që po monitrojnë situatën e lojtarit në “Allianz Arena”.