Mbahet akademia “Flaka e Janarit”/ Kurti: Duhet të përkujtojmë rolin unik të ambasadorit William Walker
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve në Dubovik të Deçanit me rastin e përvjetorit të 44-të të vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe vizitës te shtëpia e familjes së Kadri Zekës, mori pjesë në Akademinë e “Flakës së Janarit”, e cila i kushtohet Masakrës së Reçakut, që u mbajt në Teatrin e Qytetit në Gjilan.
Me këtë rast Kurti theksoi se “Flaka e Janarit” fillimisht nisi si shënim i 10 vjetorit të vrasjes së tre veprimtarëve politikë dhe patriotëve të paepur Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të vrarë më 17 janar 1982 në Gjermani, nga shërbimi sekret jugosllav. Rreth këtij festivali, u përbashkua kujtimi edhe për rënien e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, të vrarë nga policia jugosllave më 11 janar 1984 në Prishtinë.
Më tej, ai vlerësoi rëndësinë e ruajtjes së traditës, për kultivimin e vlerave kombëtare dhe ndërtimin mbi themele të forta të atyre mureve prej të cilave lartësohet ngrehina jonë shoqërore, gjegjësisht shtëpia jonë, Republika e Kosovës.
“Edhe vetë thyerjet e traditës, janë pjesë e saj, sikur në vitin 1999, kur në edicionin e tetë të “Flakës së Janarit”, programi i këtij festivali u pat shkurtuar për shkak se më 15 janar 1999, forcat policore serbe kryen një masakër në fshatin Reçak të Shtimes, duke i vrarë 45 civilë të pambrojtur e të paarmatosur. 27 vite më vonë, akademia përkujtimore e “Flakës së Janarit”, i kushtohet Masakrës së Reçakut, përkujtimit dhe nderimit të viktimave dhe dëshmorëve, të rënë atje, në luftën e drejtë të popullit tonë për çlirimin e Kosovës nga Serbia armike, okupatore dhe shtypëse”, tha Kurti.
Kurti theksoi se duhet të përkujtojmë rolin unik të ambasadorit William Walker, si dëshmitar dhe denoncues i Masakrës së Reçakut, si krim kundër njerëzimit, e pikërisht kjo deklaratë e ambasadorit Walker ia bëri të qartë botës të vërtetën për krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë.
“Mes kujtimesh plot respekt për të rënët, me mirënjohjen më të thellë për të gjallët dhe trashëgimtarët, e duke besuar që rrugëtimi ynë i përbashkët që nga nderimi i të kaluarës na shpie në ndërtimin e së ardhmes, më lejoni të shpreh konsideratat e mia më të larta si Kryeministër i Republikës së Kosovës, për vuajtjet, dhimbjet, humbjet tuaja dhe tonat, si sakrifica për lirinë në të cilën po e kujtojmë, zhvillojmë dhe përparojmë vendin tonë të përbashkët sot.”, përfundoi fjalën e tij kryeministri në detyrë.

