Mbahet ceremonia përkujtimore në nderim të Profesionistëve Shëndetësor

Kryetarët e Odave të Profesionistëve Shëndetësorë, përkujtuan kontributin dhe sakrificën e Profesionistëve Shëndetësor ndër vite, që nga persekutimet e viteve ’50, demonstratat e viteve ’68, ’81, helmimet e nxënësve shqiptar, të demonstratave të ’89-tës, luftën e UÇK-së e deri tek periudha e pandemisë, ku sakrifikuan jetën dhe familjarët e tyre në krye të detyrës.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu tha se duhet të jenë të bashkuar, me qëllim që të arrihen rezultate pozitive.
“Përulemi përjetësisht mjekëve dhe të gjithë Profesionistëve Shëndetësor, për kontributin e dhënë për dekada. Duhet të jemi të bashkuar në mënyrë që të arrijmë rezultate pozitive në çdo aspekt”, tha Sejdiu.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh se është falënderues ndaj përkushtimit dhe angazhimit të Profesionistëve Shëndetësor ndër vite dhe falënderoi Kryetarët e OPSH-ve për këtë iniciativë të ndërmarrë, realizimin e monumentit Obelisku në nderim të Profesionistëve Shëndetësor.
Kryetarët e Odave të Profesionistëve Shëndetësorë gjithashtu shprehën mirënjohje dhe falënderime./Indeksonline/