08:17 / E Martë, 14 Qershor 2022 / AR

Mbahet edicioni i dhjetë i festivalit FemArt

Artiste, aktiviste e feministe vendore dhe ndërkombëtare takohen sërish në Festivalin e parë feminist në Kosovë, FemArt.

Sot do të fillojë edicioni i 10 i këtij festivali.

Ky festival do të mbahet për dhjetë ditë radhazi, ku do të përcillet me aktivitet të ndryshme.

Në kuadër të edicionit të 10 të Festivalit FemArt do të shfaqet premiera “Toka e Shpirtrave të Trazuar”, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në orën 20.

“Mblidhemi për të festuar një dekadë të njohjes e nderimit të guximit të grave artiste, fuqisë kreative, e angazhimit të tyre për barazi e drejtësi përmes shfaqjeve teatrore, performancave, baletit flamengo, vallëzimit bashkëkohorë, konferencave, ekspozitave e prezantimeve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Ishujt Reunion, Italia e Franca”, thuhet në njoftimin e këtij festivali.

“Një dekadë guxim, krenari e dashuri. Për një dekadë kemi krijuar ngjarje, thyer barriera e ndërtuar ura të reja të paqes në vend, rajon e më gjerë. Jemi rebeluar për të këputur fijet e patriarkatit, e shkundur mendësinë e dëmshme të së vjetrës. Aktivizmi ynë artistik-feminist vjen si një përgjigje për t’u shëruar e kuptuar, për të krijuar e transformuar shoqërinë e jetën. Mbi të gjitha për të shkërmuar secilin nocion të normuar mbi pabarazinë. Ky angazhim ka frymuar falë dashurisë për artin, aktivizmin, jetën, ekzistencën, barazinë e drejtësinë”.