14:10 / E Mërkurë, 16 Mars 2022 / B O

Mbahet Forumi Konsultativ për Bashkëpunim Ndërkufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut, ministri njofton marrëveshjen me vlerë 3 milionë euro

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi së bashku me Ministrin e Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë Veriore Goran Milevski morrën pjesë në Forumin Konsultativ të Progamit për Bashkëpunim Ndërkufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut, në kuadër të IPA II 2014 – 2020.

Ministri Krasniqi, vuri në fokus kultivimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit të Komunave të Republikës së Kosovës dhe Komunave të Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të këtij programi, si dhe potencoi rëndësinë e zbatimit të projekteve ndërkufitare të cilat ndikojnë dhe janë në shërbim të zhvillimit komunal, si dhe fuqizimit të bashkëpunimit.
Gjithashtu, Ministri Krasniqi theksoi se në thirrjen e 5-të për propozime e cila së shpejti do të shpallet, arrinë vlerën financiare rreth 3 milion euro.

Në anën tjetër, Ministri Milevski falenderoi Ministrin Krasniqi për pritjen duke theksuar se bashkëpunimi ndërkufitar është prioritet i Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë së Veriut dhe përmes zbatimit të këtyre projekteve përfitues janë Komunat e dy vendeve tona.
Në përmbyllje të këtij forumi u prezantuan prioritetet tematike dhe mundësitë e financimit të projekteve në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut për periudhën 2014 – 2020.