Mbahet kurs kundër kurdisjeve dhe dukurive negative në futboll
Zyrtari për integritet të garave në FFK, Ejup Osmani, sot, në kuadër të “Women’s Grassroots Coaching Course”, i cili po mbahet në Banjën e Pejës, ka mbajtur një ligjëratë para pjesëmarrëseve të këtij kursi kundër kurdisjeve dhe dukurive tjera negative që ndikojnë në rregullshmërinë e garave.
Gjatë kësaj ligjërate, z. Osmani ka theksuar rëndësinë e informimit me kohë për dukuri të tilla negative, në mënyrë që njerëzit që synojnë manipulime të lajmërohen me kohë në organet kompetente.
Tutje, ai, ka thënë se do të ketë gjithmonë individë apo grupe të interesit, që për përfitime personale dhe klanore do të ofrojnë para, apo dhurata tjera të ndryshme për të arritur qëllimin, derisa parat e tyre vijnë kryesisht nga droga, prostitucioni dhe krimi i organizuar dhe nga dukuri tjera të pista.
Prandaj, sipas tij është shumë e rëndësishme që qysh në fillim t’u thuhet fuqishëm jo njerëzve të tillë dhe ato raste të paraqiten në organet e FFK-së por edhe të hetuesisë.