Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Bordit të drejtorëve në Drenas, formohet Shtabi emergjent

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në mëngjes herët, ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit të drejtorëve, ku është diskutuar për marrjen e masave ndaj virusit COVID-19.
Në këtë mbledhje, është diskutuar dhe është marrë vendimi për formimin e Shtabi emergjent, i cili përbëhet nga të gjithë aktorët relevantë në Komunën e Drenasit, që do të përkujdesen për marrjen dhe zbatimin e masave preventive ndaj virusit COVID-19.
Kryetari Lladrovci ka kërkuar nga drejtorët që të zbatojnë të gjitha masat e kërkuara nga niveli qendror dhe ato që dalin nga mbledhja e jashtëzakonshme e Bordit të ekzekutivit.
Po ashtu, kryetari Lladrovci, ka kërkuar nga qytetarët që të mos krijojnë panik, por ta përcjellin me kujdes të shtuar gjendjen dhe të zbatojnë rekomandimet e dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHP).
Edhe pse ende nuk është verifikuar asnjë rast me këtë virus, pas vendimit të mbrëmshëm të Qeverisë së Kosovës, është vërejtur shqetësimi i qytetarëve të cilët kanë filluar të furnizohet në masë të madhe me produkte ushqimore duke krijuar radhë të gjata në markete dhe pranë fabrikave të miellit. Duke parë këtë panik të krijuar te qytetarët, bizneset po e shfrytëzojnë këtë gjendje duke ngritur çmimet e produkteve elementare. Ndaj, kryetari Lladrovci, ka kërkuar nga inspektorët komunal të jenë në terren, për t’i monitoruar bizneset dhe për çdo ngritje të çmimit do të ndermirën veprimet e nevojshme konform ligjit.
Kurse, nga qytetarët, kryetari Lladrovci ka kërkuar të raportojnë për keqpërdorimet me çmime dhe që çdo gjatë blerjes, të pajisen me kuponë fiskalë.
Komuna e Drenasit, gjatë ditës ka thirrur edhe mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).