75 Mall Live Search
08:03 / E Hënë, 16 Shkurt 2026 / Z S

Mbahet seanca ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc

Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc, e cila ishte ndërprerë në fund të vitit të kaluar, do të vazhdojë sot e hënë, më 16 shkurt.

Në këtë rast, të akuzuar janë Jovan Viqentijeviq, i akuzuar për spiunazh, së bashku me vëllanë e tij, Dragisha Viqentijeviq, të cilët akuzohen edhe për rrezikim të rendit kushtetues dhe mbajtje armësh pa leje.

I treti, Igor Dimoviç, akuzohet gjithashtu për përfshirje në sulmin terrorist që ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.

Seanca e së hënës pritet që fillimisht të përfshijë leximin e aktakuzës, e më pas të akuzuarit do të kenë të drejtë të deklarohen rreth fajësisë, nëse e pranojnë ose jo.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën më 9 dhjetor 2025, duke u mbështetur edhe në ekspertizë të kryer nga Byroja Federale Amerikane e Hetimit, FBI, e cila ka ofruar prova që lidhin të akuzuarit me sulmin terrorist.

Ky është sulmi i dytë terrorist në Kosovë pas atij në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

Për rastin e Banjskës, tre persona po gjykohen, ndërsa disa të tjerë, përfshirë kreun e grupit Milan Radoiciq, vazhdojnë të jenë në arrati.