Mbahet Seanca Solemne për nder të 14 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Drenasit

Në nderim të 26-vjetorit të Çlirimit të Komunës së Drenasit, është mbajtur sot seanca solemne e Kuvendit Komunal, ku u nderuan dëshmorët, martirët dhe të gjithë kontribuuesit e lirisë.
Në këtë ngjarje madhore morën pjesë kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, nënkryetari Arben Shala, kryesuesi i Kuvendit Bekim Lestrani, anëtarë të Kuvendit, drejtorë të drejtorive komunale dhe qytetarë.
Seanca u hap nga kryesuesi Bekim Lestrani, i cili theksoi rëndësinë e kësaj date historike, duke thënë se “në këtë ditë kujtojmë, nderojmë dhe përkulemi për të gjithë të rënët për lirinë e vendit.”
Në fjalën e tij, kryetari Ramiz Lladrovci tha se 14 qershori është një datë që përfaqëson krenarinë, sakrificën dhe vendosmërinë e qytetarëve të Drenasit për lirinë e Kosovës.
“Në këtë ditë të shënuar, kujtojmë me nderim të rënët në altarin e lirisë. Me aktivitete të shumta kemi shprehur respektin për dëshmorët, martirët dhe familjet e tyre, si dhe për të gjithë qytetarët kontribuues të çlirimit të Drenasit dhe Kosovës,” tha Lladrovci.
Ai përmendi vendosjen e buqetave me lule pranë memorialëve në të gjitha fshatrat e komunës, hapjen e ekspozitës së piktorit Agim Bujupi dhe shfaqjen e filmit dokumentar “Fatosi i Pëllumbave të Lirisë” kushtuar Heroit Fatos Krasniqi. Po ashtu, u bë e ditur se nesër do të bëhet vendosja e shtatores së Heroit Asllan Fazliu.
Në fjalimin e tij, Lladrovci nënvizoi rolin e brezave të mëparshëm dhe të familjeve atdhetare që rritën gjenerata me dashuri për atdheun. Ai theksoi se liria e fituar me shumë sakrificë nuk duhet të harrohet kurrë dhe se Drenasi do të mbetet gjithmonë bastion i pathyeshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në këtë përvjetor, kujtojmë krenarinë tonë kombëtare, që fillon me Ahmet Delinë, vazhdon me Azem Bejtën, Shotë Galicën, Shaban Polluzhën, dhe përmbyllet me emra të lavdishëm si Adem e Hamëz Jashari, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Bedri Shala, Rasim Kiqina dhe shumë të tjerë,” u shpreh Lladrovci.
Ai po ashtu u ndal edhe tek sfidat aktuale të komunës, si zvogëlimi i popullsisë dhe çështja e ujit, duke theksuar se mbeten të përkushtuar për të përmirësuar jetën e qytetarëve, përmes punës dhe zbatimit të ligjit.
Në seancë, fjalë rasti mbajtën edhe Valentina Leku-Gashi në emër të grupit parlamentar të PDK-së dhe Egzona Tërdevci nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ngjarja u përmbyll me thirrjen për më shumë dashuri, respekt dhe unitet mes qytetarëve, për të nderuar denjësisht sakrificën e atyre që dhanë jetën për liri.

