21:47 / E Shtunë, 07 Gusht 2021 / OSH

Mbahet sot koncerti “Rame and Friends” në sheshin e Prishtinës

Sonte në orën 20:30 në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të mbahet një koncert i hapur operistik nga këngëtari i mirënjohur Ramë Lahaj.

Koncerti i sotëm do të jetë përmbyllje e festivalit të parë operistik ndërsa koncerti mban emrin “Rame and Friends”.

Organizatorja Besa Luzha në një lidhje direkte për Klan Kosova tha se ky festival është nisur nga ideja që të mbahet një koncert dedikuar mërgimtarëve.

“Festivali është përmbyllje e festivalit të parë operistik “Ramë Lahaj International Opera Festival. Nga ideja që ka qenë në vitin 2019 për një mbrëmje të bukur me operë për diasporën jemi zgjeruar me një festival që ka pasë ca mbrëmje paraprake dhe tash do të vazhdojë me mbrëmjen përfundimtare që është “Ramë Lahaj and Friends””.

Meqenëse koncerti quhet “Ramë Lahaj and Friends”, Luzha jep detaje se kush janë miqtë që do t’iu bashkëngjiten koncertit të artistit.

“Do të vjen Lana Kos,një soprane shumë e shquar e cila vjen nga Kroacia dhe këngëtare e nivelit të lartë botëror bashkë me Simone Piazzola, një bariton nga Italia. Orkestra e Kosovës do të drejtohet nga dirigjenti Antonello Allemandi dhe bashkë do të ketë edhe disa surpriza që do të shpalosen gjatë koncertit”.

Organizatorja shtoi se nuk kanë ftuar asnjë udhëheqës politik pasi që ky ka qenë i hapur për të gjithë dhe pa pagesë.

“Ne nuk kemi ftuar askënd sepse ka qenë event i hapur, vetëm e kemi bërë njoftimin dhe do të shpërndajmë bileta falas për pjesëmarrësit të cilët dëshirojnë të sigurojnë ulëset. Kemi pasur 3,500 bileta në dispozicion, por për fat të keq kemi arritur të sigurojmë vetëm 2,500 ulëse”.

Sipas Luzhës, sot ka pasë shumë pjesëmarrës të cilët janë të interesuar për të parë koncertin, por që nuk kanë bileta. Megjithatë, ajo tha se të interesuarve do t’u bëhet një zgjidhje, ndërsa shkallët e Teatrit Kombëtar janë mbushur me njerëz të cilët kanë shkuarpër të parë koncertin.