75 Mall Live Search
09:28 / E Mërkurë, 15 Janar 2025 / LB

Mbahet sot në Bruksel takimi i parë i Komisionit të përbashkët për të pagjeturit

Në Bruksel sot do të mbahet takimi i parë i Komisionit të përbashkët për të pagjeturit.

Kryetari i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Andin Hoti deklaroi të hënën se takimi i 15 janarit ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si edhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e të zhdukurve.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai bëri me dije se delegacioni i Kosovës do të prezantojë disa kërkesa kyç që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën  e kanë adresuar tek presidenti serb, Alleksandar Vuçiq.

“Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar më 2 maj 2023”.

Delegacioni kosovar do të përfaqësohet në këtë takim nga Halil Cenaj.

Lidhur me takimin e sotëm ka folur edhe emisari evropian për dialogun e Brukselit, Miroslav Laçak.

Ai mes tjerash potencoi ditë më parë se gjatë misionit të tij në Amerikë, me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe me zëvendëssekryetarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanofin, diskutuan rreth dialogut.

“Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë te personat e zhdukur me takimin e parë të Komisionit të përbashkët”, ka shkruar Lajçaku.

“Në Uashington, D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe zëvendësndihmës sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në dialogun e normalizimit”, u shpreh ndërkaq emisari.

Marrëveshja për çështjen e të pagjeturve është arritur gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar.