Mbamendja e një gazetari për eksodin biblik të shqiptarëve më 1999

Tragjedia shqiptare, e fokusuar në fisin e lashtë Dardan, zbatim i një skenari serbomadh për zhdukje të shqiptarëve dhe më pas sllavizim trojesh dhe hapësirash, arriti kulmin në fund të mijëvjeçarit të dytë.
Rreth një milion shqiptarë, që ndodheshin në territoret e Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Shumica gjetën strehë në dy vendet fqinje, të banuara me shqiptarë: Shqipëri dhe Maqedoni.

Kukësi ka qenë “oda” më e madhe mikpritëse në atë të dimër të fillimvitit 1999, ku lufta çlirimtare kishte arritur kulmin dhe largimi i okupatorit serb i egërsuar ishte vetëm çështje ditësh.
Të gjendur në një moment jo shumë të mirë ekonomik, të dalë nga një luftë civile dhe një regjim të gjatë komunist, kuksianët hapen zemrat për të pritur vëllezërit dhe motrat e tyre shqiptarë nga Kosova.
I ndodhur në një nga pikat më pikante të kësaj drame, në Kukës, dhe në detyrën e njeriut që ishte në vlugun e ngjarjeve, kryeredaktori i Radio Kukësit, Besim Cengu, ka mundur të shihite, të dëgjonte dhe të përjetonte atë, që s’kanë mundur të shihnin, të dëgjonin e të përjetonin njerëzit e tjerë dhe të linte dëshmi të shkruara, për ngjarje, njerëz dhe fate njerëzish nga më të ndryshmet.

Ai për Indeksonlinen rikthen memorien, për të treguar për atë që ka parë nga afër që kur kosovarët e parë kaluan kufirin në Morinë e deri në ditën e madhe të çlirimit, ngjarje të detajuara, të cilat i ka përmendur edhe në librin e tij: “Përmasat e mbijetesës”.
Cengu tregon për ditën e parë të fillimit të hyrjeve masive të të dëbuarve në pikën kufitare, në Morin.
“Më 27 mars, ishte ora 13:20, kur mora njoftimin, se grupi i parë i refugjatëve, nga Kosova, sapo kishte kaluar kufirin në pikëkalimin e fshatit Morin. Ishin 187 banorë, shumica gra e fëmijë, nga fshatrat Krushë e Madhe dhe Zym i Hasit, dy vendbanime në afërsi të Prizrenit”.

“Në orën 15:30, a diçka më vonë, u ndodha midis të të dëbuarve të parë. Sapo kishte mbërritur një kontingjent prej 90 personash, kryesisht gra e fëmijë. Të tjerët, pritej të vinin në çast. Ishin të rraskapitur, të traumatizuar dhe shumë prej tyre të plagosur me mjete të forta, si qyta pushke, shkopinj gome etj. Disa gra, kishin edhe veshë të shqyer. Ushtarët, paramilitarët dhe policët serbë, u kishin marrë gjithçka të çmuar, deri te vathët në veshë. U morëm atë natë dëshmi pothuaj se të gjithëve. Nuk u besonim veshëve dhe syve, për gjithë ato që tregonin dhe shikonim. Një grua rreth të pesëdhjetave, me veshje të krahinës së Hasit, dridhej e tëra dhe pa vetëdije shtrëngonte në gji një foshnjë afro një vjeç. Asaj i kishin mbetur të gjithë pjesëtarët e familjes andej: burri, kunetërit, edhe pleqtë, edhe kunatat”.
Besim Cengu, ka raportuar çdo ditë gjatë gjithë kohës së luftës deri në ditën e çlirimit dhe ngjarjet e Kosovës i tregon si më të dhunshmet në historinë moderne evropiane.

“Lufta në Kosovë dhe ngjarjet e njëpasnjëshme që rodhën gjatë kësaj krize, janë vlerësuar si një nga dramat më të mëdha njerëzore pas Luftës së Dytë Botërore në Kontinentin e Evropës. Gjatë kësaj periudhe, pësoi më së shumti populli shqiptar në të dyja anët e kufirit administrativ, pasi që, kundër tij ishte drejtuar vetë lufta agresore e Serbisë”.
Ai tregon me shifra të sakta numrin e shqiptarëve të Kosovës, që hynë në Shqipëri nga pikat kufitare që ndanin dy vendet shqiptare.
“Me një numër popullsie rreth 146 mijë banorë, Zona e Kukësit mbajti për 80 ditë në shtëpitë e vendësve mesatarisht mbi 140 mijë banorë shqiptarë të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre etnike”.

“Prej ditës kur erdhën të të dëbuarit e parë nga Kosova, më 27.3.1999, e deri kur u futën forcat ndërkombëtare, më 13.6.1999, në pikëkalimin e Morinit hynë 368.688 banorë të dëbuar, ndërsa në pikëkalimin në Qafën e Prushit të rrethit të Hasit 55.377 banorë. Në rrethin e Tropojës, kanë hyrë gjatë krizës përmes pikëkalimit të Qafës së Morinës dhe Padeshit, vetëm 110 banorë. Pra, në Prefekturën e Kukësit, u futën gjithsej 418.135 mijë banorë të dëbuar nga Kosova”.
“Historia e Evropës së re, nuk njeh ndonjë rast, që për rreth dy muaj të dhunohet kaq barbarisht një popull i tërë dhe të ketë pasur kaq shumë të dëbuar. Eksodi i pranverës 1999, tejkaloi përmasat e eksodit biblik”.
Ish-kryeredaktori i Radio Kukësit tregon se Serbia me këtë veprim e kishte për qëllim, jo vetëm serbizimin e Kosovës por edhe destabilizimin dhe kapitullimin e Shqipërisë.

“Së pari, synim ishte të shpërndahej popullata kosovare, që jeton me mijëra vjet në vatra të veta etnike. Sipas mendësisë mesjetare serbe, praktika e pastrimit etnik, do t’ishte akt i kryer dhe i parikuperueshëm, sido që të ndodhë dhe çfarëdo përpjekjeje, që të bëhet. Realisht, në Bosnjë nuk janë kthyer shumica e refugjatëve. Kështu u mendua edhe për shqiptarët e Kosovës”.
“Së dyti, përmes shpërnguljes masive të shqiptarëve, duke ditur edhe pozitën e vështirë ekonomike të Shqipërisë, Serbia u orvat të krijonte një katastrofë humanitare gjithëshqiptare. Realisht, Shqipëria e sapodalë nga kriza e vitit 1997, do ta kishte të vështirë, ose të pamundur të përballonte gjithë atë valë të të dëbuarish. Nëse në vitet ‘90, Italia e fortë u trondit prej disa mijërave shqiptarësh të ikur, atëherë Shqipëria e dobët do të bëhej varri më i madh i botës”.

Banorët e Prefekturës së Kukësit në përgjithësi dhe populli i Kukësit në veçanti, kanë rolin e tyre të pamohueshëm në përballimin e krizës së pranverës 1999. Ky kontribut i jashtëzakonshëm, e ka futur këtë rajon në panteonin e artë të historisë së popullit shqiptar. /IndeksOnline/