Mbante radio policie e pistoletë, si u ekzekutua me 30 plumba “i forti” i Shkodrës

Një muaj nga vrasja e Ridvan Ramazanit (Hyseni) në Shkodër, zbardhen detaje të reja lidhur me hetimet që ka kryer policia e qytetit, me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës së këtij krimi të ndodhur, më 28 nëntor.
Mësohet se në drejtim të Ridvan Ramazanit janë lëshuar plot 30 plumba automatiku, ndërkohë brenda në makinën tip “BMW X5” të Ramazanit është gjetur një gëzhojë pistolete dhe një radio policie. Prania e kësaj radio brenda në makinën e “të fortit” të Shkodrës, ka ngritur dyshime të forta se Ramazani, ishte përgatitur për një përplasje me armë me grupin e djemve që ishin konfliktuar me djalin e tij.
Në makinën e Ramazanit, policia gjeti dhe sekuestroi një gëzhojë pistolete, gjë e cila tregon se Ramazani, ka qëlluar vetëm një herë me armë. Për këtë ngjarje të ndodhur në 28 nëntor 2020 momentalisht ndodhet në burg vetëm Mikljor Gjoka, ndërsa dy vëllezërit Duel dhe Hydajet Mehmedaj, vijojnë të jenë në kërkim nga policia.