Mbappe konfirmon mosmarrëveshjenme Federatën Franceze të Futbollit

Kylian Mbappe është njëri nga futbollistët më të mirë të Kombëtarës së francës gjatë viteve të fundit.
Por ylli i PSG-së ka hasur në disa mosmarrëveshje me Federatën Franceze të Futbollit rreth të drejtave të imazhit.
L’Equipe raporton se këto mosmarrëveshje i ka konfirmuar edhe vet Mbappe, ku ka thënë se nuk do të jetë pjesë në një sesion fotografik të FFF-së, transmeton IndeksOnline.
“Na vjen keq që nuk është arritur një marrëveshje siç është planifikuar para Kupës së Botës, prandaj lojtari ka vendosur të mos marrë pjesë në sesionin fotografik të planifikuar për nesër”, thuhet në deklaratë.
Diferencat mes Mbappes dhe FFF-së nisën marsin e kaluar, kur sulmuesi nuk zbriti nga dhoma e tij në Chateaux de Clairefontaine për një angazhim të të gjithë ekipit me një nga sponsorët e federatës.
Avokatët e Mbappes argumentuan se disa nga reklamat e markës së Federatës bien ndesh me interesat e një prej sponsorëve të vetë Mbappes dhe se kjo po ndodh edhe me futbollistët e tjerë në ekip.
Le Graet u zotua në fund të sezonit të rinegociojë kushtet në të cilat lojtarët duhet të heqin dorë nga të drejtat e tyre të imazhit kur të thirren në ekipin kombëtar, por nuk ka pasur përparimin e pritur.
“U dhanë garanci se kjo marrëveshje, e hartuar në vitin 2010, duhet të modifikohet për të vazhduar me zhvillimet në sport dhe metodat e komunikimit”, vijon deklarata e Mbappe./IndeksOnline/