16:07 / E Diele, 29 Mars 2020 / indeksADMonline

Mbërrijnë në Lombardi 10 mjekë e 20 infermierë shqiptarë, do nisin menjëherë punën në spitale

Kanë mbërritur paraditen e sotëm nga Roma në aeroportin “Valerio Catullo” të Veronës, ekipi i përbërë nga 10 mjekë e 20 infermierë shqiptarë që një ditë më parë udhëtuan drejt Italisë për t’i ardhur në ndihmë këtij vendi të gjunjëzuar nga pandemia e Covid-19.

Drejt Lombardisë ekipi shqiptarë ka udhëtuar së bashku me ministrin italian të çështjeve rajonale Francesco Boccia.

Në aeroportin e Veronës janë pritur nga guvernatori i Lombardisë Atilio Fontana, nga zëvendësministri i brendshëm Vito Crimi.

“Ju falënderoj në emër të qeverisë italiane”, është shprehur ministri Boccia.

Ekipi i mjekëve e infermierëve shqiptarë do të nisin menjëherë punën në strukturat spitalore të Breshës dhe Bergamos, që janë dhe territoret me numrin më të lartë të viktimave e pacientëve në kurim në repartet e terapisë intensive.

“Po kalojmë një moment të vështirë, tha para ekipit shqiptarë, guvernatori i Lombardisë Atilio Fontana. Është një moment i vështirë për rajonin tonë e për vendin e kur kemi vende që na shfaqin një solidaritet të tillë është dyfish e vlefshme për ne. Ju falënderoj për këtë bashkëpunim që do të jetë padyshim i rëndësishëm.”

Rajoni i Lombardisë ka regjistruar deri më tani 5944 viktima e 39 415 pacientë të infektuar.