12:12 / E Mërkurë, 22 Maj 2024 / L K

Mbërrin në Tiranë sekretari i Jashtëm britanik David Kameron

Avioni i sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Kameron, (Cameron) është ulur në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë. Ka qenë ministri i Jashtëm Igli Hasani që ka pritur homologun britanik teksa zbriti nga avioni. Kjo është vizita e parë që Kameroni zhvillon në vendin tonë.

Vizita e Kameronit në Tiranë do të jetë tepër e shkurt, vetëm një orë, ndërsa agjenda e sekretarit britanik ka ndryshuar ku do zhvillohet vetëm një takim “kokë më kokë” vetëm me kryeministrin Edi Rama e më pas do të mbajnë së bashku një deklaratë për mediat.

Pas deklaratës, sekretari i Jashtëm britanik David Kameron do të niset sërish drejt Londrës.

Në fokus të takimit me kreun e qeverisë do të jetë pikërisht forcimi i bashkëpunimit mes dy qeverive, lufta kundër korrupsioni dhe partneriteti mes dy vendeve në trajtimin e emigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Gjithashtu diskutimet do të zhvillohen edhe për investimet që do të përforcojnë partneritetin e Mbretërisë së Bashkuar me Shqipërinë dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për të dy vendet.