19:47 / E Hënë, 09 Shtator 2019 / indeksADMonline

Mbesa e heroit Hakif Zejnullahu kandidate për deputete

Në mesin e kandidatëve të cilët janë përzgjedhur për deputet të PDK-së, është edhe mbesa e heroit Hakif Zejnullahu,Filloretë Zejnullahu.

Zejnullahu përmes një postimi në facebook ka thënë se e di se do të jetë një garë e fortë, me shumë konkurrencë vlerash, për të fituar besimin për të qenë përfaqësuesja e denjë dhe zëri juaj. Por, jam e bindur në suksesin final.

Ja postimi i saj i plotë:

Floretë Zejnullahu 33 Të nderuar miq, I dashur gjysh, të dashur prindër dhe ju familjarë, Shumë të respektuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Nga e diela, kam marrë një obligim shumë të rëndësishëm, për të hyrë në garë për deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që do të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. E di se do të jetë një garë e fortë, me shumë konkurrencë vlerash, për të fituar besimin për të qenë përfaqësuesja e denjë dhe zëri juaj. Por, jam e bindur në suksesin final. Sepse: në këtë garë nuk përfaqësoj vetëm vetveten. Kam prapa vlerat pozitive të trashëgimisë familjare, sakrificën e paraardhësve ndër breza…

Deri te axha im, gjeneral Hakif Zejnullahu, njëri nga themeltarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i rënë për liri. Isha shumë e vogël, për ta kuptuar pse ai ishte vrarë. Sapo e kisha njohur… Ata, sikur shumë breza të tjerë, burra e gra patriotë e atdhedashës, nuk e arritën ditën e lirisë, por vunë një gur të fuqishëm në themelin e saj.

Që ne sot ta kemi shumë më të lehtë rrugën për ndërtimin e shtetit, ëndrrës së tyre. Në vijë me këtë angazhim familjar, në të mirë të shtetit, në zgjedhjet e kaluara komunale, me besimin tuaj, jam zgjedhur asamblistë në Kuvendin Komunë të Podujevës. Kam ngritur në vazhdimësi zërin për të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët, banorët e fshatrave e lagjeve të largëta që kanë mungesa elementare në infrastrukturë, fermerët që kanë nevojë për më shumë përkrahje dhe mbrojtje, të rinjtë që duan t’u dëgjohet zëri dhe t’u hapen rrugët për të treguar dijen e tyre dhe për ta vënë atë në të mirë të zhvillimit e fuqizimit të shtetit, femrat që duan largimin e barrierave për të dëshmuar se përgjegjësitë për shtetin dhe zhvillimin e shoqërisë bien mbi të gjithë në mënyrë të barabartë.

Sot, nën firmën e Partisë Demokratike të Kosovës, i kam hyrë garës për të përfaqësuar qytetarët në institucionin më të lartë në vend – Kuvendin e Republikës. E nxitur nga fuqia e partisë shtetformuese dhe bartëse e të gjitha vendimeve më të rëndësishme për vendin tonë. E bindur në largpamësinë e lidershipit, kryeministrit të ardhshëm, z.Kadri Veseli. E sigurt se qëndrimet e palëkundura të PDK-së për ta luftuar korrupsionin dhe të gjitha dukuritë e tjera që e pengojnë përparimin e shtetit të Kosovës do të bëhen realitet. Më se e sigurt në fitoren e PDK-së, më se e sigurt se me Dekadën e Re më së shumti fiton Kosova. Se të rinjtë dhe të rejat do ta gjejnë veten këtu, në vendin tonë, se ekspertët e të gjitha fushave do të kenë hapësirë të mjaftueshme për të realizuar ambiciet e tyre, në institucionet e Republikës së Kosovës. Ky është vendi ynë. Ne dimë si ta bëjmë këtë vend të bukur edhe më të mirë edhe më të dashur për të gjithë.

Na priftë e mbara! #FloretëZejnullahu #33 #KadriVeseliKryeministër #PDK