Mbetet në fuqi burgimi 25-vjeçar për burrin që vrau gruan me shufër metalike në Kamenicë

Gjykata e Apelit ka vendosur që të refuzojë si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit, Nuhi Mavrovqani, i cili është dënuar për vrasjen e gruas së tij me shufër metalike gjatë vitit të kaluar në Kamenicë.
Në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se Departamenti i Krimeve të Rënda i këtij institucioni, pas shqyrtimit të të gjitha kërkesave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur të refuzojë ankesën e mbrojtjes së të dyshuarit si të pabazuar, ndërsa është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjilan i datës 1 nëntor 2021.
Nuhi Mavrovqani është shpallur fajtor për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë”, ndaj të cilit është shqiptuar dënimi me burgim prej 25 vjetësh.
“Prishtinë, 16.02.2022 – Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që të refuzoj si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit N.M., ndërsa është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjilan, PKR.nr.74/2021, i datës 01.11.2021. Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Gjilan, i akuzuari N.M. është shpallur fajtor për shkak të veprës penale vrasje e rëndë, nga neni 173, paragrafi 1., nën-paragrafi 1.3. të KPRK dhe për shkak të kryerjes së kësaj vepre penale, ndaj të akuzuarit është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 25 vjetëve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Vrasja kishte ndodhur më 25 korrik 2021 në fshatin Berivojcë të Kamenicës. Ai ishte arrestuar më pas, ndërsa procesi hetimor kishte treguar mënyrën se si ishte kryer krimi.
Mavrovqani kishte goditur gruan e tij disa herë në pjesë të ndryshme të trupit me shufër metalike, me ç’rast i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse.