16:08 / E Diele, 19 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Mbetët një fije shpresë për Donjeta Sadikun, reagon Shoqata Ndërkombëtare e Boksit 

Donjeta Sadiku, boksierja kosovare ka edhe një fije shpresë për pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror që po mbahet në Indi.

IndeksOnline kupton se Federata e Boksit të Kosovës ka marr një letër nga Shoqata Ndërkombëtare e Boksit, të shkruar nga Philippe Tuccelli, i cili iu ka kërkuar Besim Brahimit, Donjeta Sadikut dhe Latif Demollit, të nisen për në Indi.

Megjithatë kjo nuk është e lehtë, pasi shteti i Indisë nuk e pranon pasaportën e Kosovës.

Latif Demolli, gjyqtari i njohur thotë për IndeksOnline, se nesër dita e hënë do të jetë vendimtare për fatin e boksierës kosovare.

“Philippe Tuccelli, nga Shoqata e Boksit Ndërkombëtar thotë që të nisemi menjëherë. Por, ne nuk kemi as viza e as ndonjë dokument që na lejohet hyrja në Indi. Pra duhet pritur deri nesër që të shohim se çfarë do të ndodhë, pasi ju kemi kërkuar Shoqatës Ndërkombëtare një dokument që ekipi i Kosovës mund të udhëtoj në Indi pa pikë problemi”, ka thënë Latif Demolli

Gjyqtari i njohur gjithashtu ka folur edhe për mundësitë e Donjetës për këtë Kampionat Botëror.

“Shorti i Donjetës duket jashtëzakonisht i mirë dhe besojmë se nëse udhëtojmë, ajo sigurisht se do të jetë në finalen e madhe për titullin e kampiones së Botës”, shtoi Demolli.

Kujtojmë se Donjeta, Besimi dhe Latifi para disa ditësh ishin në Tiranë për të aplikuar për pasaportë të Shqipërisë, në mënyrë që këto probleme mos të shfaqën më./IndeksOnline/