22:10 / E Hënë, 06 Shkurt 2023 / AR

Mbeti nën rrënoja pas tërmetit, gjendet i gjallë ish-futbollisti i Chelsea

Futbollisti nga Gana, Christian Atsu, i cili u raportua se kishte mbetur i bllokuar nën rrënoja pas tërmetit të fortë në Turqi, është gjetur me shenja jete nga ekipet e kërkim-shpëtimit.

Sipas gazetës portugeze “A Bola”, sulmuesi i Hatayspor ndodhet në spital, me lëndime në këmbën e djathtë dhe vështirësi në frymëmarrje. Sipas gazetës tjetër portugeze “O Jogo” (Atsu spikati te Porto para se të kalonte te Chelesa), lojtari ishte në katin e nëntë të ndërtesës së tij në momentin e tërmetit.

Shërbimet e urgjencës lokale arritën të nxirrnin të gjallë nga rrënojat edhe futbollistët e tjerë Onur Ergun dhe Burak Oksuz (të dy nga ekipi Hatayspor). Për momentin, ekipet e shpëtimit nuk kanë mundur të gjejnë drejtorin sportiv të klubit, Taner Savut, dhe një përkthyes nga klubi turk.

Nga ana e tij, gazetari afrikan Saddick Adams pohon se në ndërtesë ishin gjithsej nëntë lojtarë (përveç Atsu) dhe një trajner.

Christian Atsu shënoi dje golin e fitores 1-0 në ndeshjen midis Hatayspor dhe Kasimpasa. Ky është sezoni i parë i ganezit në Turqi, i transferuar nga kampionati i Arabisë Saudite.