Mbi 1 mijë ndërmarrje të reja u regjistruan gjatë shtatorit, por ja sa u shuan!
Gjatë muajit shtator 2025, në nivel vendi janë regjistruar gjithsej 1,054 ndërmarrje të reja.
Krahasuar me muajin paraprak gusht 2025, është vërejtur një rënie prej 1.3% të numrit të ndërmarrjeve të regjistruara.
Ndërsa krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak shtator 2024, është shënuar një rritje prej 5.8%, duke reflektuar një trend pozitiv të zhvillimit të aktiviteteve ekonomike në vend.
Por gjatë shtatorit nuk pati vetëm ndërmarje të reja të regjistruara. Gjatë këtij muaji, janë gjithsej 86 ndërmarrje të cilat janë shuar.
Nga ndërmarrjet e reja të regjjistruara aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij mujori ishin: Tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 255 (24.2%), Ndërtimtari me 123 (11.7%), Prodhim me 95 (9%), Informacion dhe komunikim me 91 (8.6%) etj.
Në kategorinë “Mikro ndërmarrje” (0 deri në 9 të punësuar) janë gjithsej 1,047 ndërmarrje të regjistruara, në kategorinë “Ndërmarrje të vogla” (10 deri 49 të punësuar) janë gjithsej 7 ndërmarrje të regjistruara, kurse në kategorinë “Ndërmarrje të mesme” (50 deri 249 të punësuar) dhe “Ndërmarrje të mëdha“ (250+), nuk kemi ndërmarrje të regjistruara këtë muaj.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të regjioneve: Rajoni i Prishtinës prinë me 486 ndërmarrje të regjistruara (46.1%), Rajoni i Ferizajt me 125 (11.9%), Rajoni i Mitrovicës me 118 (11.2%), Rajoni i Prizrenit me 93 (8.8%), Rajoni i Pejës me 88 (8.3%), Rajoni i Gjakovës me 72 (6.8%), dhe Rajoni i Gjilanit me 72 (6.8%)./Indeksonline/

