75 Mall Live Search
16:14 / E Martë, 08 Korrik 2025 / MSH

Mbi 1 mijë të vdekur në Iran nga përplasjet me Izraelin

Autoritetet iraniane kanë përditësuar shifrat zyrtare të viktimave pas përplasjes së fundit ushtarake me Izraelin, duke bërë me dije se të paktën 1.060 persona kanë humbur jetën. Sipas burimeve qeveritare, numri mund të shkojë deri në 1.100, për shkak të plagëve të rënda që kanë pësuar shumë nga të lënduarit.

Lajmi u konfirmua nga Saeed Ohadi, drejtues i Fondacionit iranian për Dëshmorët dhe Veteranët, gjatë një interviste për televizionin shtetëror, e cila u citua gjithashtu nga gazeta izraelite Haaretz.

Në fillim të ofensivës që zgjati 12 ditë, autoritetet iraniane tentuan të minimizonin impaktin e bombardimeve izraelite, por me kalimin e kohës janë detyruar të pranojnë se dëmet kanë qenë të mëdha. Midis humbjeve më të rënda përmenden shkatërrimi i bazave ushtarake, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe strukturave të ndjeshme të lidhura me programin bërthamor të vendit.

Nga ana tjetër, një raport i organizatës amerikane Human Rights Activists ofron një pasqyrë edhe më të rëndë: sipas tyre, numri i viktimave ka arritur të paktën në 1.190, përfshirë 436 civilë dhe 435 anëtarë të forcave të sigurisë. Po ashtu, rreth 4.475 persona janë raportuar të plagosur.

Ky përshkallëzim i dhunës mes dy kundërshtarëve rajonalë ka lënë pasoja të mëdha jo vetëm në infrastrukturën ushtarake të Iranit, por edhe në situatën humanitare brenda vendit.