Mbi 10 mijë qytetarë në Obiliq kërkuan ndihmë për shkak të problemeve me frymëmarrje
Ndotja e ajrit në Komunën e Obiliqit është njëri nga indikatorët që kanë bërë që mijëra qytetarë të kërkojnë ndihmë mjekësore.
Kjo për shkak të problemeve që janë paraqitur në frymëmarrje, transmeton Indeksonline.
Në një përgjigje të Drejtorit për Shëndetësi në Komunën e Obiliqit bëhet e ditur se nga janari deri në nëntor kanë kërkuar ndihmë gjithsej 10 mijë e 851 qytetarë.
Këto ndihma mjekësore kanë të bëjë me probleme me frymëmarrje. “Pacientët që kanë kërkuar ndihmë shëndetësore në QKMF, QMF dhe AM për këtë vit deri në nëntor 2018 gjithsej janë 10 851”, ka thënë Mjekiqi.
Prej tyre 5 623 femra kanë pasur problem me frymëmarrje, ndërsa meshkuj janë 5 228. Edhe, Drejtoresha e Klinikës së Pomologjisë në QKUK, Rukije Mehmeti për Indeksonline thotë se numri i të sëmurëve dita ditës po shtohet. Në muajin tetor në këtë klinikë janë paraqitur 1 236 persona që kanë pasur probleme me frymëmarrje.
“Nëse shikojmë një digresion me muaj, shohim se nga korriku-gushti ku kemi pasur përafërsisht 900 pacientë në ambulanten specialistike, ky numër për muajin tetor është 1 236, që do të thotë se ditë me ditë numri i të sëmurëve është në rritje”, ka thënë ajo për redaksinë.
Ajo ka shtuar se këto ditë numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë për problem me frymëmarrje është rritur, ku njëri nga faktorët është ndotja e ajrit.
“Numri i të sëmurëve dita ditës shtohet, që është e vërtetë sepse përveç ndotjes së ambientit i cili ka impakt të madh në përkeqësim te të sëmurëve me sëmundje kronike të mushkërive edhe për shkak te sezonit të virozave të cilat ndikojnë dukshëm në përkeqësim të shëndetit të këtyre të sëmurëve”, ka thënë ajo.
Ndryshe, OBSH-ja vlerëson se ndotja e ajrit është një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve të parakohshme. Një nga gjashtë vdekjet e parakohshme të më shumë se 9 milionë njerëzve në të gjithë botën në vitin 2015, thuhet se janë shkaktuar nga ndotja e ajrit.
Edhe, Auditori Gjeneral konsideron që, grimcat e pluhurit janë shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut pasi që janë grimca me diametër shumë të vogël dhe si të tilla mund të udhëtojnë më thellë në mushkëritë e njeriut dhe të shkaktojnë efekte të dëmshme për shëndet.
Efektet e mundshme që mund të shkaktohen janë rritja e numrit të të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkitet kronike, sëmundjet kronike të mushkërive tek moshat e shtyra, rritja e numrit të sëmundjeve kardiovaskulare dhe respiratore, kanceri, shkurtimi i jetës si dhe rritja e shkallës së mortalitetit.
Ndërsa, në bazë të matjeve të vazhdueshme që po bëhen nga Ambasada Amerikane, për disa ditë radhazi cilësia e ajrit ka qenë jo e mirë. Ku niveli i grimave të dëmshme ka arritur deri në shkallën 262 pmm.
Kjo ka bërë që edhe të reagojë Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike. Ekspertët e Institutit Kombëtar kanë paralajmëruar dhe alarmuar se poqëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese./Indeksonline/