75 Mall Live Search
08:25 / E Shtunë, 11 Maj 2019 / indeksADMonline

Mbi 10 milionë euro ndahen për të burgosurit politikë

Buxhetit të Kosovës nuk po i kushtojnë shtrenjtë vetëm veteranët e luftës së UÇK-së, por më shumë se dhjetë milionë euro janë paraparë nga arka e shtetit për sivjet edhe për ish të burgosurit politikë.

Në një dokument zyrtar të buxhetit të Kosovës, të cilin e posedon gazeta “Zëri”, bëhet e ditur se në tremujorin e parë të këtij vitit pagesat për të burgosurit politikë kanë arritur në 6.42 milionë euro, ose për 194 për qind më shumë se shpenzimet që kanë qenë për këtë kategori buxhetore në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Por në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë thënë se për të burgosurit politikë nga buxheti i shtetit sivjet janë planifikuar 10.5 milionë euro, ndonëse sipas tyre këtë vit nuk është realizuar ende asnjë pagesë.

“Në këtë vit ende nuk është realizuar asnjë pagesë për këtë kategori nëpërmes Departamentit të Pensioneve. Buxheti i paraparë për këtë vit është 10.500.000.00 euro”, ka thënë Bahri Xhaferi, udhëheqës i Divizionit të Pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. /Indeksonline/