21:01 / E Mërkurë, 23 Shtator 2020 / indeksADMonline

Mbi 100 persona me kancer kanë fituar betejën me COVID-19

Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë për IndeksOnline se mbi 100 persona me kancer kanë qenë të infektuar me koronavirus.

Kurtishi ka konfirmuar se të gjithë pacientët në Spitalin e Onkologjisë, që kanë qenë të prekur me virusin korona, kanë fituar betejën.

Në një prononcim për IndeksOnline drejtori tha se edhe 15 pacientë të tjerë janë drejtë shërimit.

Sipas tij, personat e prekur  nga  Covid-19, kanë llojet e kancerit të gjirit, mushkërive, zorrëve e pankreasit.

“Mbi 100 pacientë me kancer e kanë kaluar Covidin. Të gjithë në bazë të informacioneve që i kemi e kanë kaluar. Asnjë prej tyre nuk ka përfunduar me fatalitet.

Aktualisht mund të jenë 15 pacientë të infektuar në fazën e tejkalimit.

Personat me kancer si me kancer të gjirit, mushkërive, zorrëve e pankreasit kanë qenë të infektuar me virusin korona”, tha ai./Indeksonline/