16:35 / E Shtunë, 08 Gusht 2020

Mbi 1,200 të vdekur për një ditë, Trump këmbëngul përsëri: Virusi po zhduket

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, e ka përdorur një rënie të rasteve të reja të koronavirusit në Floridë, Teksas dhe Arizonë për të pretenduar se ky virus është duke u zhdukur, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara regjistruan mbi 1,200 viktima në 24 orët e fundit.

Presidenti amerikan pretendoi se përmirësimi i shifrave në vatrat e mëdha të përhapjes tregon se pandemia është duke u zhdukur në mbarë vendin, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.


“Do të zhduket”, tha presidenti Trump gjatë një konference për gazetarë të premten mbrëma në klubin e tij të golfit në New Jersey.

Deklarata e tij më e re erdhi vetëm dy ditë pasi Trump bëri një pretendim të ngjashëm optimist se virusi vdekjeprurës do të largohet, siç tha ai, ashtu siç largohen gjërat. Këtë deklaratë e bëri të mërkurën, kur bëri thirrje për rihapje të shkollave.

Besimi i palëkundur i kreut të shtetit më të prekur në botë nga pandemia se virusi së shpejti do të jetë një kujtim i largët bie ndesh me paralajmërimet e qarta të ekspertëve më të lartë të shëndetësisë, Dr. Anthony Fauci dhe Dr. Deborah Birx.

Numri i përgjithshëm i viktimave të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara ka shkuar në mbi 161,000, ndërsa gati pesë milionë njerëz janë infektuar. Këto shifra janë bindshëm më të lartat në botë. Brazili është në vendin e dytë me rreth 100,000 viktima.