Mbi 2.5 milionë ukrainas lënë vendin, strehohen në shtete të ndryshme të Evropës

Më shumë se 2.5 milionë ukrainas kanë lënë vendin brenda dy javësh, që nga fillimi i invazionit rus.
Pushtimi i papritur ka bërë që shumica e këtyre ukrainasve t’ua mësyjnë kufijve më të afërt, sidomos atij me Poloninë, për t’u shpërndarë më pas në destinacione më të përshtatshme dhe të sigurta për ta.
Sipas komisionerit të OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, ky migrim përbën një prej krizave më të ëmdha të refugjatëve në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, shumica e atyre që kanë lënë vendin janë gra dhe fëmijë.
Kjo për shkak të ligjit që Ukraina vuri në fillim të pushtimit, ligj ky ushtarak, që u ndalonte daljen nga vendi meshkujve nga 18 deri në 60 vjeç.
Sipas të dhënave të UNHCR-së, më shumë se 1.6 milionë ukrainas janë strehuar në shtetin më të afërt, në Poloni.
Ndërkaq, shtetet në perëndim dhe jug të Ukrainës kanë pranuar një numër më të vogël refugjatësh në krahasim me Poloninë.
Rreth 245 mijë ukrainas kanë hyrë në Hungari, ndërsa mbi 195 mijë të tjerë kanë ikur drejt Sllovakisë.
Në anën tjetër, sipas ministrit të Jashtëm të Moldavisë, Nicu Popescu, mbi 328 mijë refugjatë kanë mbërritur në Moldavi.
Rreth 173 mijë të tjerë janë strehuar në Rumani, teksa dhjetëra mijëra të tjerë janë shpërndarë në vende të tjera të Evropës, si në Gjermani, Itali, Austri e Kroaci.
Mbërritjen e një numri të konsiderueshëm të ukrainasve e ka konfirmuar edhe Irlanda, Estonia, Greqia, Suedia, Lituania, Holanda dhe Portugalia.