09:52 / E Hënë, 02 Tetor 2017 / indeksADMonline

Mbi 20 të vrarë nga të shtënat në Las Vegas (Foto)

Policia në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara tha se mbi 20 veta janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri.

Personi i armatosur ka hapur zjarr nga kati i 32-të i Hotelit Mandalay Bay, drejt një festivali të muzikës që po mbahej pranë.

Policia tha se i dyshuari, i identifikuar si banor vendas, është qëlluar dhe vrarë nga oficerët.

Policia po ashtu tha se është vënë në kërkim të një personi tjetër, që ka udhëtuar me të dyshuarin.

Videot e postuara në mediat sociale tregojnë turma njerëzish duke ikur nga vendi i ngjarjes, derisa dëgjohet zhurma e armës automatike.

Las Vegas

Las Vegas

Ka pasur raporte edhe për incidente të tjera në lokacione të ndryshme përgjatë shiritit të Las Vegasit, por policia tha se beson se i dyshuari i vrarë ka vepruar i vetëm.

Një zëdhënëse e spitalit tha se 14 të plagosur janë në gjendje kritike.

Shumë hotele pranë vendit të incidentit në Las Vegas mbeten të mbyllura.

Disa fluturime u devijuan po ashtu.

Festivali i muzikës ishte duke u zhvilluar që nga e premtja, pranë disa hoteleve në shiritin e Las Vegasit./rel