Mbi 200 mijë persona aplikuan për 10 përqindëshin, TRUSTI i siguron qytetarët se ueb sajti është i sigurt

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka siguruar të gjithë qytetarët se ueb sajti për tërheqjen e 10 përqindëshit është i sigurt.
Në një postim të bërë kanë shpjeguar situatën e krijuar me ueb sajtin dhe sigurinë e tij, transmeton Indeksonline.
TRUSTI ka treguar se 200 mijë persona kanë aplikuar për tërheqjen e 10 përqindëshit sot.
Postimi i plotë:
Reagim i përbashkët i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) rreth çështjes së sigurisë së portalit për aplikim online nga Trusti, të ngritura në publik. E konsiderojmë të nevojshme të reagojmë përkitazi me publikimet dhe hedhjen e dyshimeve mbi sigurinë e portalit të Trustit, për aplikim përmes internetit për tërheqje të 10% të kursimeve të qytetarëve.
Ju informojmë se pas vështirësive të paraqitura gjatë fazës së lansimit të portalit të Trustit (trusti10.org) me qëllim të tejkalimit të këtyre problemeve është gjetur një zgjidhje alternative në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit – ASHI.
Ekspertët e ASHI-së dhe të Trustit kanë realizuar një zgjidhje teknike duke u bazuar në praktikat më të mira të sigurisë, ku është aplikuar certifikata e sigurisë së domainit *.rks-gov.net, e cila nuk i rrezikon shërbimet ekzistuese të domainit .rks-gov.net, e as sigurinë e certifikatës.Certifikata e sigurisë i është dhënë në shfrytëzim Trustit, i cili po ashtu është Institucion i Republikës së Kosovës, dhe nuk bëhet fjalë për palë të treta sikurse që pretendohet në disa mediume elektronike. Ju sigurojmë se kjo praktikë e aplikuar është shumë profesionale dhe nuk rrezikon sigurinë e të dhënave të qytetarëve dhe se deri me tani kemi mbledhur më shumë se 200 mijë aplikacione edhe përmes linkut të ofruar nga ASHI, që është https://trusti.rks-gov.net/.