10:28 / E Hënë, 18 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Mbi 21 mijë lëndë të pazgjidhura në vitin 2017 nga Gjykata Supreme

Dhoma e posaçme e Gjykatës Supreme edhe gjatë këtij viti është përballur me sfida të mëdha.

Kështu ka thënë kryetari i Dhomës së posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, Sahit Sylejmani gjatë një konference për fund-vit, ku ka folur për sfidat dhe ato që nevojiten gjatë vitit të ardhshëm.

Sipas tij, gjatë këtij viti janë zgjidhur gjithsej 2465 lëndë, ndërsa kanë mbetur të pazgjidhura 21 mijë e 12 lëndë, transmeton Indeksonline.

“Dhoma e posaçme gjatë vitit 2017 është përballur me një ngarkesë të madhe me lënë dhe me një mori problemesh që kanë vështirësuar punën e saj. Në fillim të vitit 2017 kanë mbetur pa u kryer nga viti paraprak 20 mijë e 828 lëndë në shkallën e parë, 769 lëndë në shkallën e dytë. Gjithsej nga vitet paraprake 21 mijë e 597 lëndë. Prej 3 janar 2017 e deri më 15 dhjetor 2017 janë zgjidhur 2070 lëndë në shkallën e parë, dhe 395 shkallë në shkallën e dytë. Pra gjithsej, 2465 lëndë. Ndërsa të pakryera gjithsej kanë mbetur 21 mijë e 597 lëndë”, ka thënë Sylejamni.

Sipas tij, për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve është e pamundur që të kryhet një numër kaq i madh i lëndëve.

“Sa i përket ngarkesës së lëndëve për një gjyqtar në dhomën e posaçme mesatarisht në shkallën e parë është mesatarisht 1328 lëndë për një gjyqtar, ndërsa në shkallën e dytë është 218 lëndë. Përkundër se numri i gjyqtarëve përputhet me numrin që e përcakton ligji, prapë se prapë nuk është numri i mjaftueshëm për të përballuar një ngarkesë kaq të madhe në dhomë.  Krahas mungesës së gjyqtarëve dhe stafit që nuk është i mjaftueshëm, ne kemi mungesë të hapësirës. Kemi nga dy gjyqtar në një zyre. Dhoma ka nevojë për vitin që po vije të shtohet në rend të parë të rritet numri i stafit, ndërsa për rritjen e numrit të gjyqtarëve duhet të ndryshojë edhe ligji për dhomën e posaçme”, ka shtuar ai./Indeksonline/