Mbi 2,200 të vdekur nga tërmeti në Afganistan, mijëra të tjerë të plagosur

Punonjësit e shpëtimit nxorën të enjten trupat nga rrënojat e shtëpive të shkatërruara nga tërmeti i fuqishëm që goditi Afganistanin, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 2,205 të vdekur dhe mbi 3,640 të plagosur, njoftoi administrata talebane.
Të mbijetuarit, shumica e të cilëve kanë mbetur pa strehë, po përballen me një të ardhme të pasigurt.
Agjencitë ndërkombëtare të ndihmës kanë paralajmëruar se burimet për mbështetje janë të kufizuara.
Tërmeti i parë, me magnitudë 6.0, goditi të dielën në një thellësi të cekët prej vetëm 10 kilometrash, duke shkaktuar dëme masive në provincat Kunar dhe Nangarhar.
Një tërmet i dytë, me magnitudë 5.5, tronditi rajonin të martën, duke shkaktuar panik dhe duke penguar përpjekjet e shpëtimit. Rrëshqitjet e dheut dhe gurëve bllokuan rrugët që çojnë në disa fshatra të izoluara malore, duke vështirësuar ndihmën emergjente./BBC