17:39 / E Martë, 25 Tetor 2022 / shkelqim osmanaj

​Mbi 29.000 emigrantë kanë vdekur gjatë rrugës drejt Evropës që nga 2014-ta

Më shumë se 29.000 emigrantë kanë vdekur në përpjekje për të arritur në Evropë që nga viti 2014, dhe 5.000 janë zhdukur në dy vjetët e fundit, tha Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në një raport të publikuar sot.

Në një raport në kuadër të projektit të IOM-it “Migrantët e Zhdukur”, agjencia e OKB-së paralajmëron “rritje të numrit të vdekjeve në rrugët në Detin Mesdhe dhe në kufijtë tokësorë drejt Evropës dhe brenda kontinentit”.

Sipas raportit, rruga më vdekjeprurëse e migrimit është ende pjesa qendrore e Detit Mesdhe, ku 2.836 emigrantë dhe refugjatë kanë vdekur që nga janari 2021. Ata po përpiqeshin të arrinin në Itali ose Maltë dhe lëviznin kryesisht nga Libia dhe Tunizia.

E dyta më vdekjeprurëse është rruga në Oqeanin Atlantik nga Afrika Perëndimore në Ishujt Kanarie të Spanjës, ku më shumë se 1.500 vdekje janë regjistruar që nga viti 2021.

Studiuesit pranuan se numri i vdekjeve ishte ndoshta më i lartë se sa deklarohej dhe cituan si arsye vështirësitë në mbledhjen dhe konfirmimin e informacionit për “anije-mbytjet e padukshme”, varka që zhduken në det pa dëshmitarë.

Një numër në rritje i vdekjeve janë vërejtur edhe në zona të tjera në kufi me Evropën, si dhe në Greqi, Ballkanin Perëndimor dhe Kanalin Anglez, thuhet në raport.

Në raportin e ri, për herë të parë në kuadër të projektit, u publikuan statistika për vdekjet që lidhen me të ashtuquajturin parandalim të dhunshëm të hyrjes së emigrantëve (pushback) nga autoritetet e vendeve evropiane. Bazuar në deklaratat e të mbijetuarve, janë regjistruar 252 vdekje të tilla.

Parandalimi me forcë i hyrjes së migrantëve është i paligjshëm si në ligjin ndërkombëtar ashtu edhe në atë të BE-së, pasi shkel të drejtën për të kërkuar azil dhe parimin që ndalon kthimin e çdo personi në një vend ku ai ose ajo mund të përballet me një rrezik real të persekutimit, torturës ose një kërcënim për jetën.

Në raport thuhet se në pjesën qendrore të Detit Mesdhe janë regjistruar 97 vdekje në lidhje me parandalimin e hyrjes me forcë, në Mesdheun Lindor 70, në kufirin tokësor të Turqisë dhe Greqisë 58, në Mesdheun Perëndimor 23 dhe në kufiri i Bjellorusisë dhe Polonisë katër vdekje.