Mbi 30 mijë euro vlera e parave të grabitura sot në Podujevë

Mbi 30 mijë është vlera e parave të grabitura sot në Podujevë, raporton IndeksOnline.
Viktima ishte punëtore e një supermarketi në Podujevë, e cila derisa po i dërgonte paratë për deponim në bankë, është ndaluar nga grabitësit, të cilët nën kërcënimin e armës ia morën të gjitha paratë për të ikur në drejtim të panjohur.
Burimet e IndeksOnlinet brenda policisë kanë thënë se punëtorja me veti kishte mbi 30 mijë euro nga pazari i marketit dhe ajo është përcjell nga grabitësit derisa ka ndodhur vepra.
IndeksOnline ka raportuar ekskluzivisht për këtë grabitje, ndërsa më vonë policia ka konfirmuar rastin.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se të hënën rreth orës 09:00, është pranuar informata për një grabitje të ndodhur në rrugën “Zahir Pajaziti”, në Podujevë.
“Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se një i dyshuar nën kërcënimin e armës i ka grabitur një vlerë të parave të gatshme një personi që atë moment ishte duke shkuar për të deponuar ato”, ka thënë Borovci për IndeksOnline.
Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes me ç’rast ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë, përderisa kanë filluar hetimet për identifikimin e të dyshuarit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit./IndeksOnline/