15:51 / E Martë, 10 Janar 2023 / mp

Mbi 34 mijë vizitorë për një muaj frekuentuan hotelet në Kosovë

Bazuar në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës del se vetëm  në nëntor të vitit të kaluar hotelet kishin mbi 34 mijë vizitor.

 “Numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 34 659, prej tyre 33.69% ishin vendorë dhe 66.31% ishin të jashtëm. Ndërsa, numri i net-qëndrimeve ishte 51 896,  prej tyre 31.67% nga vendorët dhe 68.33% nga të huajt. Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka Rajoni i Prishtinës me 17 863 vizitorë dhe 24 403 net-qëndrime.

Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, Pejë e kështu me radhë. Kurse, sa u përket vizitorëve të huaj numri më i madh i tyre ishte nga Shqipëri, Gjermania, Zvicra”, thuhet në raport.

Në nëntor 2022 pjesë e anketës ishin 209 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e  Kosovës.

“Ky publikim statistikor paraqet të dhëna statistikore për muajin Nëntor të vitit 2022. Burimet e të dhënave janë hotelet dhe njësitë tjera akomoduese të klasifikuara në aktivitetin e hotelerisë dhe turizmit sipas NACE-Rev.2. Qëllimi i publikimit është që të vejë në dukje tendencën e zhvillimit të këtij aktiviteti ekonomik në Kosovë. Duke u bazuar në kërkesa të vazhdueshme nga shfrytëzues të ndryshëm të brendshëm dhe të jashtëm për të dhëna dhe informacione statistikore si dhe duke shfrytëzuar rekomandimet dhe manualet e EUROSTAT-it mbi indikatorët që duhet të publikohen për statistikat e hotelerisë, kemi prezantuar informacione me interes”, thuhet në raport.

 Ky publikim do të shërbejë si bazë e dobishme referuese për të gjithë shfrytëzuesit e të dhënave statistikore të ASK-së, dhe si informacion i dobishëm dhe relevant ekonomik për Kosovën./IndeksOnline/