75 Mall Live Search
23:02 / E Diele, 04 Janar 2026 / S Z

Mbi 7 mijë lindje gjatë vitit 2025, bie numri i prerjeve cezariane

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Zef Ndrejaj, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 në këtë klinikë janë realizuar gjithsej 7,101 lindje. Sipas tij, nga ky numër, 5,511 lindje janë kryer me rrugë normale, ndërsa 1,510 me prerje cezariane.

Ndrejaj theksoi se gjatë vitit janë lindur 3,338 foshnja meshkuj dhe 3,102 femra, ndërsa janë regjistruar edhe 174 lindje binjakësh dhe 7 raste të lindjeve trinjakësh. Ai vuri në dukje se ka pasur rënie të lindjeve me prerje cezariane, duke shtuar se gjatë vitit 2025 janë kryer gjithsej 2,917 lindje me këtë metodë.

Sa i përket trendit të përgjithshëm të lindjeve, drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë tha se nuk ka rënie të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar, duke marrë parasysh faktin se një numër i konsiderueshëm i lindjeve realizohet edhe në spitalet rajonale dhe klinikat private.

Në aspektin e stafit, Ndrejaj bëri të ditur se klinika ka rreth 293 punonjës. Ai pranoi se ka mungesë të lehtë të infermierëve në raport me numrin e pacientëve, por shtoi se është hapur një konkurs dhe pritet të pranohen infermierë të rinj. Ndërkohë, sipas tij, numri i mjekëve është i mjaftueshëm dhe nuk ka pasur largime të stafit drejt vendeve të tjera.

Duke folur për ankesat e pacientëve, Ndrejaj tha se gjatë tri viteve të fundit gjendja në klinikë është përmirësuar dukshëm, si në aspektin infrastrukturor ashtu edhe në pajisje. Sipas tij, janë rinovuar pothuajse tërësisht katër reparte, janë shtuar shërbimet dhe janë funksionalizuar shërbime të reja si mjekësia fetale, amniocenteza dhe IVF-ja.

Ai po ashtu foli edhe për rastet që referohen nga klinikat private, duke theksuar se disa prej tyre vijnë në gjendje të komplikuar, gjë që e vështirëson punën e stafit. Megjithatë, Ndrejaj tha se falë profesionalizmit të ekipit mjekësor, shumica e rasteve trajtohen me sukses. Sipas tij, disa raste referohen për shkak të mungesës së pajisjeve ose kushteve të nevojshme në klinikat private, por Klinika e Gjinekologjisë në QKUK është e përgatitur të merret me të gjitha rastet që paraqiten.